Zyrtari i VV-së: Po t’i merrte LDK-ja seriozisht vërejtjet e mia, sot do t’i kishte 30 deputetë në parlament

Ish-kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje Liri Loshi, ka thënë se përmes shkrimeve të tij në Facebook, e ka ndihmuar Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ai ka thënë se sikur LDK-ja t’i merrte parasysh seriozisht vërejtjet e tij, so do t’i kishte 30 deputetë në Kuvendin e Kosovës
Loshi ka publikuar një shkrim të tij të një viti më parë, ku kishte thënë se kriza e Kosovës, ishte krizë e LDK-së.

Reagimi i Loshit në Facebook:
Disa miq të LDK-së ende mendojnë se me shkrimet e mia në Facebook e kam dëmtuar LDK-në. Në fakt është e kundërta, e kam ndihmuar LDK-në. Por. si duket nuk ka pasur njeri që më ka kuptuar drejt, ose thjesht, që më ka marrë seriozisht. Ja ky shkrim më poshtë, i postuar sot një vit tregon se sikur LDK t’i merrte seriozisht vërejtjet e mia, sot do t’i kishte rreth 30 deputetë në parlament. Por, ata zgjodhën një rrugë më të lehtë, atë të humbjes.

Kriza e Kosovës është krizë e LDK-së
Nuk është problem i LDK-së kë e propozon si kandidat për kryeministër, por kush do të bëhet kryetar i partisë. Lufta e egër për këtë post ka rrënuar shumë emra potencialë për kryetar të LDK-së. Në fakt, është Vjosa Osmani që si kandidate më popullore për këtë post, ka rrënuar të gjithë emrat tjerë. Tanimë emrat e Lufti Hazirit, Agim Veliut, Avdullah Hotit dhe së fundi edhe emri i Kujtim Shalës janë plotësisht të pavlershëm për mundësinë e të bërit lider partie. Është Vjosa Osmani që i ka bërë të tillë secilin nga këta, kurse janë të gjithë këta bashkë që duke iu bindur Isa Mustafës dhe duke marrë anë “parimore” kundër Vjosës, e kanë devalvuar edhe emrin e saj. Një neutralizim reciprok!

Fakti që Isa Mustafa nuk mund të bëhet kryeministër për shkaqe shëndetësore, tregon më së miri se LDK-ja ka nevojë për një kryetar tjetër për arsye të njëjtë. Por ajo nuk e ka një emër serioz për këtë post. Kjo do të thotë se partia është në krizë të thellë politike. Në fakt, shumë njerëz nuk po e kuptojnë se kriza politike e sotme në Kosovë, është në të vërtetë kriza politike e LDK-së që pa të drejtë i është vënë Kosovës barrë në shpinë. Kjo e bën Kosovën humbëse të përkohshme, por LDK-në e bën humbëse të përhershme. Nëse LDK-ja arrin ta marrë drejtimin e qeverisë, ka gjasa që t’i lë gjymtyrët aty dhe më të mos mund të lëvizë.