Zyrtari i lartë evropian: “Plani slloven” për ndryshimin e kufijve u shty nga Aleksander Vuçiq

Kurdo që ta kenë takimin e radhës, kryeministri slloven, Janez Jansha dhe kryetari i Këshillit Evropian Charles Michel, duhet publikisht  të sqarohen për një gjë.

Mediat sllovene kanë publikuar dokumente jo formale të njohura si  ‘non paper’ të cilat sipas tyre Jansha ia ka prezantuar Michelit.

Aty krye-qeveritari slloven i prezanton atij evropian idenë për rivizatim të plotë të kufijve në Ballkanin Perëndimor që do të sillte sipas tij, paqen afatgjatë në rajon.

Njëra nga zgjidhjet është  që Kosova të bashkohet me Shqipërinë, kufiri shqiptaro-serb vendoset përmbi Mitrovicë, kurse tre komunat tjera të veriut të Kosovës marrin status special dhe administrohen nga Serbia.

Ndërkohë Beogradi shpërblehet me më shumë territor duke e marrë Republikën Serbe të Bosnjës dhe kështu shteti i përbërë nga boshnjakët, serbët e kroatët shpërbëhet.

Një zyrtar i lartë evropian i tha Klan Kosovës të premten se kjo ide me ndryshimet e kufirit ku përfshihet Kosova doli këto ditë  dhe u shty fort nga politikanë të rangut të lartë nisur nga presidenti Aleksandër Vuçiq, i ndihmuar nga liderë tjerë në BE, por edhe Rusia kjo për të bërë relativizmin e çështjes që po e dridh skenën në Ballkan e Evropë.

Paraprakisht, sipas tij, në Bruksel kanë qarkulluar në muajt janar e mars dy “non paper” tjerë që flasin  ekskluzivisht për ndarjen e Bosnjës sepse ajo sipas mendimit slloven, kroat dhe të tjerëve thjesht është vend jo-funksional.

Simos Piperidis nga e zyra e presidentit të Këshillit Evropian, as nuk pohoi e as nuk e mohoi ekzistimin e letrave në fjalë duke thënë se për momentin s’kanë asnjë koment për pyetjet e dërguara.

Nga zyra e kryeministrit në Lubjanë po ashtu nuk komentuan ato që ata i quajnë dokumente “non paper” për Ballkanin Perëndimor.

Paraprakisht, Janez Jansha ka deklaruar se nuk e ka takuar fizikisht Michelin që nga viti i kaluar andaj sipas tij, do të ishte e vështirë t’i dorëzojë zyrtarit evropian diçka në shkurt a mars sivjet.

Sllovenia e cila e merr presidencën e Bashkimit Evropian nga 1 Korriku, sipas Janshës po kërkon zgjidhje për zhvillimin e perspektivës evropiane të rajonit.

Kjo nuk mjafton për politikanen sllovene, Tanja Fajon.

Ajo kritikoi ashpër shefin e qeverisë të cilit i kërkon të dalë publikisht kundër opsionit kundërthënës për ri-definimin e kufijve në Ballkan.

Fajon, thotë se nuk e di nëse dokumenti është autentik, por për të është biseduar në rrethe të rëndësishme diplomatike në Bruksel.

“Secila ide e ndryshimit apo rivizatimit te kufijve në Ballkanin Perëndimor aq më pak në Bosnje e Hercegovinë e cila ka pësuar më së shumti nga lufta është jashtëzakonisht e rrezikshme. Nisur nga ky fakt , secili tentim i ri-vendosjes së kufijve na dërgon në të kaluarën e përgjakshme dhe nuk mund të përfundojë në mënyrë paqësore”, theksoi Fajon.

Nga zyra e kryeministrit Albin Kurti, kanë deklaruar se nuk e kanë asnjë koment për zhvillimet rreth dokumenteve të lartpërmendura.