Një tjetër futbollist i rëndësishëm që ka qenë titullar në sezonin e fundit i jep lamtumirën Partizanit. Pas Jasir Asanit, Erald Çinarit, Eneo Bitrit, Esin Hakajt e Hektor Idrizajt të cilët u larguan pasi u përfundoi kontrata edhe mesfushori Rron Broja nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët për të rinovuar kontratën që i skadonte në 30 qershor me klubin kryeqytetas duke ndarë përfundimisht rrugët me Partizanin. 25-vjeçari kosovar i cili u bë pjesë Partizanit para 2 vitesh pasi kishte spikatur me fanellën e Shkupit në Maqedoninë e Veriut, ka vendosur të largohet nga të kuqtë me të cilët zhvilloi në total 62 ndeshje në Kategorinë Superiore në dy sezone duke shënuar dhe 2 gola.
Broja me një postim në rrjetet sociale ka zyrtarizuar lamtumirën nga Partizani, duke falenderuar drejtuesit e klubit, tifozët dhe shokët e skuadrës për këto dy vite që sipas tij kanë qenë të mrekullueshme pasi është rritur shumë si futbollist.“Dua të njoftoj se nga sot nuk do të jem pjesë e KF Partizani. I falenderoj të gjithë, duke nisur nga presidenti, drejtori, trajnerët, shokët e skuadrës dhe gjithë stafin e klubit, me të cilët kemi punuar së bashku në këto dy vite. Gjithashtu një falënderim i veçantë për tifozët Ultras Guerrils për mbështetjen e tyre në çdo moment”, shkruan mesfushori.
E ardhmja e Rron Brojës me shumë mundësi do të jetë jashtë Shqipërisë ashtu siç ka ndodhur edhe me Erald Çinarin që u transferua te Samsunspor në Turqi, Jasir Asanin që kaloi te Kisvarda në Hungari dhe Eneo Bitrin i cili është një hap larg zyrtarizimit te Astana në Kazakistan.