Zyra e Kryeministrit Hashim Thaçi për 2 muaj në vitin 2011 ka shpenzuar 6 mijë e 53 euro për ushqim dhe pije në byfenë e Qeverisë.
Në faturat e siguruara për KALLXO.com figurojnë shpenzime si biftekë, sallata të ndryshme, file pule, supë, pasta e pije të ndryshme.
Në muajin shkurt të vitit 2011, Zyra e Kryeministrit Thaçi kishte shpenzuar 3 mijë e 247 euro, ndërsa në tetor të atij viti kishin shpenzuar 2 mijë e 806 euro.
Në shkurt të 2011 ata kishin porositur 1 mijë e 2 kafe e 429 pije të ftohta si CocaCola, Fanta apo Schewppes.
Vetëm gjatë muajin shkurt nga zyra e Thaçit ishin porositur 289 sallata të ndryshme si dhe 159 biftekë.
Edhe pse muaji tetor është më i gjatë se muaji shkurt, Zyra e Kryeministrit ka porositur me qindra kafe më pak. Në tetor të 2011, Zyra e Kryeministrit Thaçi ka porositur 606 kafe. Ndërsa sa i përket pijeve të ftohta në këtë muaj ata kanë porositur 470 të tilla.
Edhe numri i biftekëve kishte rënë këtë muaj në krahasim me muajin shkurt. Ata kishin porositur 86 biftekë në byfenë e Qeverisë. Një biftek ka kushtuar 5 euro e 20 cent, ndërsa lloji i biftekut “Biftek me ruccola” ka kushtuar 5 euro e 70 cent.
Sallatat e porositura nga zyra e Kryeministrit në tetor të 2011 kanë qenë 249 copë.
Në faturë nuk tregohet se sa persona kanë porositur nga Zyra e Kryeministrit.
Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.
Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.
Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.
Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.