Zyberi thirrje partive shqiptare: Vëllezër na u bashkoni, do të jem Kryeministri i parë shqiptar!

Kandidati për kryeministër shqiptar, i nominuar nga BDI-ja, Naser Zyberi, para banorëve të Sarajit në Shkup, kërkoi mbështetjen me votë për t’u bërë shqiptari i parë që do të drejtonte me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Zyberi, që po ashtu me prejardhje është nga kjo pjesë e Shkupit, tha se ëndrrat e dikurshme sot janë bërë realitet, e kjo për shkak se nuk ka munguar vullneti, guximi dhe trimëria. U kërkoi edhe partive shqiptare që ta mbështesin kandidaturën e tij.

“Më lejoni t’i thërras kokës së partive të tjera shqiptare dhe t’i përkujtoj se unë kam pasur fatin që të jem deputeti i parë i Komunës së Sarajit dhe Dervenit. E ka dashur rasti që të jem ministri i parë i Dervenit dhe Sarajit. E ka dashur rasti që të jem nënkryetari i parë i qeverisë, andaj vëllezër na u bashkoni se do të jem kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut!” u shpreh Zyberi në tubimin në Saraj.

Ai tha se e ka habitur rëndë kundërshtimi i ashpër i dy partive kryesore maqedonase për idenë për kryeministër shqiptar. Ashpërsia me të cilën e kundërshtojnë idenë, i rrëzon maskat e tyre, tha Zyberi, duke shtuar se kjo është dëshmi e mirë për shqiptarët dhe subjektet politike se parulla “Një shoqëri për të gjithë” është një mashtrim i madh vetëm e vetëm për të mbledhur votat e shqiptarëve.

Zyberi me thirrje iu drejtua edhe komuniteteve të tjera që propozimi për kryeminsitër shqiptar të mos i frikësojë, sepse siç tha, kjo ide “do t’u ndihmojë të dalin nga kangjella e deritanishme e fotografive bardh e zi, VMRO-LSDM e LSDM-VMRO”.

“Tani ka opsion të tretë. Ky opsion është amalgamë për t’i bashkuar të gjitha etnitetet, shqiptarë, vlleh, turq, boshnjakë, serbë e maqedonas. Të bëhen një pas kësaj ideje të madhe, sepse idetë e mëdha sjellin rezultate të mëdha” u shpreh Zyberi.

Marrëveshja e Ohrit në pjesën juridiko-kushtetuese është rrumbullakësuar, tha ai, por mbeten edhe shumë detyra të tjera për t’u kryer. Andaj shtoi se shqiptarët kanë nevojë për më tepër barazi, në administratë në ekonomi, në shëndetësi dhe të gjitha institucionet shtetërore, e për t’i arritur këto, shtoi se është nevoja për një subjekt të fortë që do të bëhej garancë. Për këtë, si dhe pas mendimeve të këmbyera me kreu e BDI-së Ahmeti, Zyberi tregoi se është bindur se duhet “edhe një herë t’i përveshë krahët” pas 18 vitesh pauzë në politikë.

“T’i përveshim krahët bashkërisht vëllezër e motra, sepse lufta politike asnjëherë nuk ka mbarim. Lufta ushtarake fillon e përfundon, me fitore ose humbje, përfundon me marrëveshje, por lufta politike është e përhershme. Prandaj unë ju thërras të gjithë juve që të na bëheni bashkëudhëtarë në këtë luftë. Për perspektivat tona të përbashkëta, pa penguar të tjerët në të drejtat e tyre, sepse nuk kërkojmë asgjë më shumë se ajo që na takon. Nuk kërkojmë asgjë për të penguar të tjerët, vetëm duam barazi në mesin e të barabartëve” u shpreh Zyberi.

Kandidati për kryeministër në fjalën e tij kujtoni edhe vitet e ’90, kohë kur, siç tha, shumë shqiptarë kishin frikë të bashkëngjiten në lëvizjen e atëhershme për barazi kombëtare. Zyberi tha se ka qenë avokat në mbrojtjen e çështjes shqiptare që në kohët kur ka qënë deputet, ministër dhe zëvendëskryeministër i vendit. Madje këtu rikujtoi edhe luftën e vitit 2001.

“Shpesh herë më thoshin, një zëdhënës UÇK-ja ka në mal, e një tjetër në Parlament, e ai qenka Naser Zyberi” tregoi kandidati për Kryeministër./TV21