Zyberi nënshkruan “Memorandum për ardhmërinë” me kryetarët e disa komunave

Kandidati për Kryeministër, i nominuar nga BDI-ja, Naser Zyberi në Komunën e Tetovës ka takua sot kryetaren Teuta Arifi, si dhe Kryetarin e Dibrës, Hekuran Duka, atë Çairit, Visar Gani dhe Erkan Arifin Kryetar i Komunës së Likovës. Nga zyra për shtyp e BDI-së informojnë se në takim është diskutuar rreth angazhimeve të Zyberit si kryeministër i ardhshëm i mundshëm, për një zhvillim më të shpejtë të rajoneve të cilat janë më së shumti të prekura nga shpërngulja e të rinjve.

“Më të prekura nga migracioni janë rajonet. Të rinjtë shpërngulen në Shkup dhe jashtë vendit, duke braktisur rajonet për shkak të mungesës së mundësive dhe mungesës së infrastrukturës. Këtu duhet të veprojmë dhe jo vetëm në nivel të centralizuar, por së bashku me komunat” ka thekuar Zyberi, bëhet e ditur në njoftim.

Po ashtu njoftohet se Zyberi me kryetarët e komunave të sipërpërmendura kanë nënshkruar një “Memorandum për ardhmërinë” me të cilin merren përgjegjësi për trajtimin e decentralizimit fiskal për zhvillim të balancuar rajonal, për t’u siguruar që komunat do të kenë në dispozicion buxhet më të madh për projekte të rëndësishme infrastrukturore.

“Memorandumi parasheh rritje të të ardhurave nga taksat për komunat: TVSH nga 4.5% në 9%, dhe të taksave personale nga 3% në 9%; rishikim të metodologjisë për shpërndarjen e taksave dhe subvencioneve për komunat; rrugë lokale (rindërtimi, ndërtimi, dhe rehabilitimi i rrugëve në rajonet në vend 270 km rrugë lokale me vlerë prej 70 milion euro); projekte për efikasitet të energjisë për komunat në vlerë prej 25 milion Euro të financuar përmes bankës botërore”, sqaroi Zyberi, duke u bërë thirrje të gjithë kryetarëve të komunave në Maqedoninë e Veriut t’i bashkëngjiten  kësaj nisme, shkruhet në kumtesë.

“Pjesa e dytë e Memorandumit për Ardhmërinë do të krijojë shanse të reja për të rinjtë. Një edukim i duhur profesional është thelbësor për karrierën e të rinjve tanë. Kjo është ajo që ne, si shtet, duhet ta sigurojmë. Është detyra jonë. Prandaj, së bashku me komunat, do të ndërtojmë shkolla profesionale në çdo komunë, ku të rinjtë do të aftësohen për profesionet e tyre të ardhshme. Komunat do të sigurojnë infrastrukturën, të mundësuar përmes decentralizimit fiskal, dhe shteti do të marrë përsipër të gjitha kostot operative” ka shtuar Zyberi, thuhet në njoftimin e BDI-së.