Zvicra voton për ndalim të mbulesës së plotë të fytyrës në publik

Votuesit në Zvicër kanë mbështetur ndalesën për mbulim të plotë të fytyrës në vendet publike, në atë që është konsideruar si referendum “kundër burkas”, ndonëse mbulesat islame nuk janë përmendur në veçanti në propozim. Rezultatet zyrtare të 7 marsit kanë treguar se 51.2 për qind e votuesve kanë mbështetur ndalesën, derisa pjesëmarrja në votime ka qenë 50.8 për qind.

Gati 1,427,000 votues kanë qenë në të mirë të ndalesës, ndërsa 1,360,000 kanë qenë kundër.
Edhe sondazhet kanë parashikuar se rezultati do të jetë i afërt.
Referendumi, i shtyrë përpara nga grupet e ekstremit të djathtë, ka bërë thirrje që edhe më pak gra të vendosin mbulesa e tyre të plota islamike.

Propozimi “Po kundër ndalesës për mbulesë të plotë”, nuk ka përmendur saktësisht burkan apo nikabin.
Megjithatë, në posterët e fushatave janë parë mbishkrimet “Ndalni Islamin radikal” dhe “Ndalni ekstremizmin!’’, duke shfaqur gratë me nikab të zi.

Nikabi është veshje që mbulon fytyrën e grave konservatore myslimane, derisa burka ua mbulon vetëm trupin.
Rezultati zgjedhor nënkupton që askush nuk mund të mbulojë plotësisht fytyrën në publik.
Përjashtime do të bëhen nëpër vende të lutjes, në disa organizime kulturore si dhe për arsye shëndetësore.

Autoritetet do të kenë kohë dy vjet për të hartuar në detaje legjislacionin.
Qeveria zvicerane dhe parlamenti kanë kundërshtuar ndalesën e tillë në nivel kombëtar.
Këshilli Islamik në Zvicër e ka konsideruar ndalesën “një zhgënjim të madh për myslimanët”.

Sipas të dhënave qeveritare, rreth 5.5 për qind e popullsisë zvicerane përbëhet nga myslimanët.
Referendumi ka ardhur në kohën kur maskat në fytyrë janë të detyrueshme në dyqane dhe transport publik, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Në Evropë, fqinjët e Zvicrës, Franca dhe Austria kanë ndaluar mbulesën e plotë të fytyrës, ashtu sikurse Belgjika, Bullgaria dhe Danimarka.