I riu guximtar tregon se ishte duke shërbyer një blerës kur e kishte parë një burrë duke u lëshuar poshtë, te binarët. Ai kishte vrapuar menjëherë dhe e kishte kapur personin në fjalë.
Sërish një shqiptar dhe sërish punonjës i kioskut të njëjtë të pjekurinave (xhevrekëve) “Bretzel König” në stacionin hekurudhor Stadelhofen të Cyrihut, shpëton një njeri nga treni, duke e nxjerrë nga binarët. Fjala është kësaj here për Valon Rufatin, shef i këtij kiosku, shkruan albinfo.ch. Më parë, së paku dy herë, jetë njerëzish ka shpëtuar Senat Iseni, shqiptari nga Shkupi, i cili punonte po këtu. Ai kishte qenë pastaj në rrethin e ngushtë për të fituar çmimin prestigjioz për guximin qytetar, në nivel të Zvicrës.
Kiosku tashmë i njohur është i vendosur fare pak metra nga binarët e trenit të stacionit hekurudhor Stadelhofen, ndër më të frekuentuarit jo vetëm në Cyrih.
Heroi i ditës në Cyrih, Valon Rufati, ka shpëtuar të martën që shkoi një person të dehur që kishte dashur të zbriste në binarë për të marrë nga aty një xhaketë, shkruan 20minuten.ch. Sipas Rufatit, në këtë pikë ndodhin eksese të ngjashme në vazhdimësi.
“Unë gjithmonë e mbaj një sy në drejtim të binarëve, kur jam duke punuar. Ai thotë se pak kohë më parë një i ri kishte dashur madje të flinte mbi shina.
Ja si ka ndodhur rasti më i ri. “Unë po prisja rreth orës 7 te peroni nga po vinte treni S6 në drejtim të Badenit, kur papritur një person që shihej qartë se ishte i dehur, provoi të zbriste te binarët”, tregon një lexuese për 20minuten. Ajo kishte dëgjuar një klithmë dhe ndërkohë kishte parë një punëtor të Bretzel König të vraponte dhe ta tërhiqte personin e dehur nga binarët. Pak sekonda më vonë ia behu treni. “Jam e sigurt se personi në fjalë do të ishte i vdekur nëse punëtori i përmendur nuk do të ndërhynte. Është një rast shembullor i guximit qytetar”.
Ndërsa heroi i këtij rasti, Valon Rufati, tregon se ishte duke shërbyer një blerës kur e kishte parë një burrë duke u lëshuar poshtë, te binarët, transmeton albinfo.ch. Ai kishte vrapuar menjëherë dhe e kishte kapur personin në fjalë. ”Ai donte ta merrte nga binarët një xhaketë vezulluese, e cila i kishte pëlqyer shumë”, thotë Rufati, i cili pastaj e kishte joshur të dehurin me një cigare.
Ai shton se po ky person ishte shpëtuar në dhjetorin e kaluar nga një koleg i tij, përcjell albinfo.ch. “Është një person që qëndron shpesh këtu, në Stadelhofen dhe të shumtën e herave i dehur rëndë.
Zëdhënësi i Policisë së Qytetit të Cyrihut e ka cilësuar si të guximshëm veprimin e Rufatit. Por, ai ka tërhequr vërejtjen nga vrapimi i pakujdesshëm drejt binarëve. “Veçanërisht në një stacion me frekuentim të madh si ai në Stadelhofen, në këtë mënyrë i nënshtrohesh një rrezuiku të madh”./albinfo.ch