Zv.ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani paralajmëron zgjidhjen e statusit të 33 artistëve të Ansamblit

Do të zgjidhet statusi i artistëve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqiptare, të cilët mbetën pa punë pasi që paraprakisht u skadoi kontrata. Këtë e thekson zëvendësministri i Kulturës, Sadat Sulejmani në një deklaratë për Alsat, pas seancës së sotme kuvendore ku në rend dite ishte ndryshimi i Ligjit për Kulturë, i cili parasheh që punëtorëve kulturorë të punësuar me kontrata t’u jepen vendime pune.

“Sot e dhamë propozim-ligjin dhe isha para deputetëve, e arsyetova pse duhet të ky ligj të ndërrohet. Ligji ka të bëjë me transferimin e kontratave të cilat janë me kohë të pacaktuar në kontrata me afat të papërcaktuar, gjegjësisht me vendim pune. Kjo ishte që sot e dhamë propozimin dhe besoj që për kohë të shkurtër këtë çështje do ta zgjidhim”, tha Sadat Sulejmani, zëvendësministër i Kulturës.

Në lidhje me akuzat për keqpërdorime nga drejtori i Ansamblit Shkodran Tolaj, zëvendësministri tha se prej sot ministria ka dërguar ekip inspektues, i cili duhet të hartojë raport për gjendjen në Ansambël.

“Sa i përket keqpërdorimeve, të cilat i ka bërë drejtori në fjalë, ne prej sot kemi dërguar inspektim te drejtoria apo tek Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqiptare dhe do të presim raporti si do të vijë. Sa i përket asaj se ka pasur mobing. I udhëzoj të gjithë ata që kanë pasur probleme me drejtorin, të drejtohen në Prokurori, pasi nuk është punë e ministrisë”, theksoi Sadat Sulejmani, zëvendësministër i Kulturës.

Zëvendësministri, thekson se pret që deri në fund të javës, Ministria e Financave t’u japë përgjigje pozitive për kërkesën për punësime në Ansambël, ndërkaq konkursi do të hapet pas përfundimit të raportit nga ana e Inspektoratit.Gjatë ditëve të kaluara ka pasur reagime të ashpra për shkak të situatës së krijuar ku 33 të punësuar në këtë institucion kulturor kanë mbetur pa punë. Artistët, nëpërmjet një konference për shtyp akuzuan drejtorin për mobing dhe keqtrajtim në punë, të cilat Tolaj i hodhi poshtë. Reagime pati edhe nga punëtorë tjerë kulture, të cilat kanë akuzuar drejtorin se po e trajton institucionin si pronë private./Alsat.mk