Zv.kryeministri Hoti: Albin Kurti nuk ka shkarkuar Veliun por veten e tij

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, e ka cilësuar vendimin e kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike, Agim veliut, si mungesë totale të përgjegjësisë institucionale.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti, i cili vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë që partia e tij, funksionin ndryshe, qoftë brenda subjektit politik qoftë edhe në institucione.

“Sot Kurti nuk e ka shkarkuar z.Veliu, por veten e tij, duke ikur kështu nga përgjegjësitë shtetërore ndaj qytetarëve në një moment të vështirë për të gjithë”, ka shkruar Hoti.

Ai gjithashtu ka theksuar që asnjë veprim i LDK-së që do të pasojë, nuk do të prekë mirëqenien e qytetarëve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të mërkurën se ka shkarkuar nga detyra ministrin Veliu, pasi ky i fundit, për televizionin Klan Kosova, “u deklarua kundër qëndrimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme” për shkak të situatës me koronavirus dhe se Veliu ka përhapur panik, duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.

Sipas Kurtit, “as Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë thënë se numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë”.
Pas mbledhjes së kryesisë së LDK, Isa Mustafa tha se kjo parti do të nisë një mocion mosbesimi për qeverinë Kurti, duke deklruar se LDK nuk mund të qëndrojë më në këtë qeveri.