Zv.guvernatori i BQK’së: 963 raste s’janë sen për marakli të kafeve e të pameve

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli, ka reaguar as 963 rasteve të reja me Covid-19 duke ironizuar me ata që po ankohen për masat.

Havolli ka thënë se këto raste nuk janë asgjë për meraklitë e kafeve dhe të pameve. “963 raste? Sen s’jon për marakli t’kafeve edhe t’pameve”, ka shkruar Havolli në Facebook.

Në javën e fundit në Kosovë janë regjistruar numër shumë i lartë i rasteve me Covid-19 duke shënuar rekorde dhe rritur shqetësimin, se masat kufizuese nuk po respektohen sa duhet, kjo ka shtyrë autoritetet përkatëse që të ashpërsojnë masat.

Vetëm sot në Kosovë janë shënuar 963 raste, numër ky rekord që nga fillimi i pandemisë dhe janë shënuar 13 viktima në 24 orët e fundit. Me rastet e sotme të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, numri i rasteve aktive ka kaluar shifrën prej 10 mijë personave, më saktë janë 10.191 raste aktive.