Zuckerberg ka nisur luftën me Apple – Nuk kanë bërë asgjë të re për 20 vite

Kreu ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, vazhdon të tërheqë vëmendjen me deklarata të kontestueshme, ndërsa e fundit ishte drejtuar Apple. Në një intervistë në podkastin e Joe Rogan, ai kritikoi ashpër gjigantin teknologjik për mungesën e inovacioneve, provizionet e larta në App Store dhe çmimin e lartë të pajisjes së re Vision Pro.

“Steve Jobs shpiku iPhone, dhe tani, 20 vjet më vonë, ata thjesht po ‘kafshojnë’ trashëgiminë e tij,” tha Zuckerberg, duke akuzuar Apple se ka dështuar të krijojë produkte revolucionarë në dy dekadat e fundit.

Zuckerberg gjithashtu vuri në dyshim çmimet e pajisjeve të reja të Apple, duke theksuar se iPhone po bëhet gjithnjë e më pak tërheqës për konsumatorët pasi çdo gjeneratë e re ofron përmirësime minimale. Ndërkohë që prodhuesit kinezë po bëjnë përparim të shpejtë me inovacione, të dhënat zyrtare tregojnë se Apple vazhdon të ketë sukses të konsiderueshëm në shitje, në kundërshtim me pohimet e Zuckerberg.

Ai theksoi se politika e Apple në App Store është problematike për zhvilluesit, pasi kompania ngarkon një komision prej 30% për çdo aplikacion, që sipas tij paraqet “presion mbi njerëzit”.

Kur bëhet fjalë për Vision Pro, pajisjen për realitet të shtuar të Apple, Zuckerberg e quajti atë “shumë të shtrenjtë dhe inferiore” në krahasim me linjën Quest VR të Meta, e cila ofron opsione më të lira.

Konkurrenca mes Meta-s dhe Apple-s është një pasqyrë e luftës për dominim në sektorin teknologjik, veçanërisht në fushën e realitetit të shtuar dhe botës virtuale. Edhe pse Meta ka investuar mjete të mëdha në projektin Metaverse, deri tani nuk ka arritur sukses të konsiderueshëm. Reality Labs, departamenti i realitetit virtual të Meta-s, ka humbur 21 miliardë dollarë për më pak se dy vjet.

Për më tepër, është ironike që Meta kritikon Apple-n për inovacione, duke pasur parasysh dështimin e përpjekjeve të saj për të hyrë në tregun e telefonave inteligjentë, si bashkëpunimi me HTC në vitin 2011.

Në kushtet e konkurrencës së vazhdueshme, do të mbetet për t’u parë se si të dyja kompanitë do të formojnë trendet e ardhshme në industrinë teknologjike.