Zoran Zaev i dorëzon zyrtarisht partinë Kovaçevskit

Pasditen e sotme në selinë e LSDM-së është realizuar pranim-dorëzimi i funksionit kryetar i partisë. Nga LSDM njoftojnë se ish kryetari Zoran Zaev ka uruar kryetarin e sapozgjedhur Dimitar Kovaçevski për fitoren në zgjedhjet brendapartiake.

“Kryetar, të uroj fat, mençurinë e ke, ta mbrosh këtë parti të madhe dhe shtetformuese, të kujdesesh për socialdemokracinë, të kujdesesh për unitetin dhe ruajtjen e lirisë dhe demokracisë në vendin tonë, si dhe në parti. Ju uroj një mandat të suksesshëm si kryetar i LSDM-së, zgjedh një udhëheqje të urtë që të gjithë do ta ndjekim. LSDM është shtyllë e shtetësisë”, i tha Zaev kryetarit të ri Dimitar Kovaçevski.

Nga LSDM shtojnë se kryetari i ri, Dimitar Kovaçevski e falënderoi ish kryetarin Zaev për kontributin në parti por edhe në Qeveri.

“Ju falënderoj edhe për vendimet e mençura që ke marrë për partinë, por edhe për vendin, falë të cilave sot vendi është anëtar i NATO-s dhe jemi në prag të fillimit të negociatave me BE-në. Faleminderit që latë një parti me një trashëgimi që ka potencialin më të madh në kuadro. Dëshiroj t’ju uroj shëndet dhe lumturi në jetën tuaj personale dhe profesionale”, tha Kovaçevski.

Ndryshe, dorëheqja e Zoran Zaev nga funksioni i kryetarit të LSDM-së erdhi si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve lokale.