Ziberi për bastisjen në burgun “Idrizovë”: Ka tejkalim të kompetencave të policisë


Avokati i Popullit në raportin për ngjarjet në burgun “Idrizovë”, ku u lënduan policë dhe të burgosur, tha se janë tejkaluar kompetencat e policisë, transmeton Portalb.mk.

“Procesi i përpunimit të videove ka përfunduar dhe do të japim raportin. Fatkeqësisht, ka elemente të shkeljes së të drejtave në kuptimin e tejkalimit të kompetencave të anëtarëve të MPB-së”, tha sot Avokati i Popullit Naser Ziberi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas konferencës “Roli mbikëqyrës i Avokatit të Popullit mbi sektorin e sigurisë nga pikëpamja e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve”.

I pyetur nëse kjo është arsyeja e gjendjes në burgun “Idrizovë”, Ziberi tha se nuk është i sigurt nëse kjo është arsyeja e vetme.

“Unë shoh nga këndvështrimi i mbrojtjes së të drejtave të të burgosurve, si ka ndodhur, pse ka ndodhur, a ka qenë mirë i organizuar, duhet të japin një përgjigje dhe tashmë i jemi drejtuar shërbimeve kompetente për të marrë një pasqyrë të plotë të aksionit”, tha Ziberi.

Bastisja në repartin gjysmë të hapur në burgun “Idrizovë” është bërë në fundjavën e fundit të tetorit kur disa nga të burgosurit kanë bërë rezistencë dhe më pas janë përleshur me policnëa. Gjatë kontrollit u gjetën 63 aparate celularë, 82 thika, 71 karikues telefoni dhe drogë.

Disa prej të burgosurve kanë treguar për Telmën se kanë përfunduar me kocka të thyera pasi janë sulmuar dhe rrahur nga policia. Siç ka raportuar TV Telma, ata kanë pohuar se janë dhunuar, ndërsa nëndrejtori i burgut, Femi Jonuzi, ka konfirmuar se është thirrur Shërbimi i Urgjencës Mjekësore.