Ziberi nga Zhelina: LSDM as në program nuk e kishte gjuhën shqipe, atë e bëri BDI

Kandidati për postin e kryeministrit shqiptar, i nominuar nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Naser Ziberi në tubimin e mbajtur para banorëve të komunës së Zhelinës ju sqaroi se kandidimi i tij për postin e kryeministrit shqiptar në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare që do të mbahen me 15-të korrik të këtij vitit mbartë në vete dy porosi ku njëra është simbolike e tjetra përmbajtjesore.

“ Çështja simbolike qëndron në faktin se për herë të parë shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut pretendojnë postin kryesor përmes të cilit kërkojnë që simbolikisht edhe faktikisht të tregojnë se në asnjë dimension të zhvillimit shoqëror nuk duhet të ndjehemi inferior ndaj të tjerëve. Ne duam që me dinjitet, aftësi të përfaqësojmë këtë vend që e llogarisim si pjesën tonë. Kjo nuk është e tëra sepse synim dhe ambicie e çdo subjekti politik është marrja e pushteti, lufta për pushtet ka një synim final dhe kjo është udhëheqja me Qeverinë dhe ne këtë pretendojmë por jo si qëllim në vetvete, si qëllim për mes së cilit duam të realizojmë interesat tona kombëtare dhe shoqërore ku ne si shtylla e dytë që garanton sigurinë, zhvillimin dhe perspektivën e këtij kombi kemi po aq të drejtë dhe aq përgjegjësi që këtë ta bëjmë,” u shpreh Ziberi.

Para banorëve të komunës së Zhelinës dhe të Dervenit, z. Ziberi tha se përmes platformës e cila është duke u shpalosur në çdo tubim ka për qëllim realizimin e dy detyrave shumë të rëndësishme për qytetarët e RMV-së.

“Detyra e parë është që ta bëjmë Republikën e Maqedonisë së Veriut një vend të mirë për të jetuar, më të zhvilluar, me perspektiv dhe të sigurt. Kjo gjë mund të realizohet me instrumente konkrete duke ndryshuar politikat ekonomike të cilat do të stimulojnë edhe më tepër zhvillimin ekonomik pra zhvillim të barabartë rajonal për gjithë qytetarët pavarësisht a bëhet fjalë për komunën e Zhelinës apo për vendbanime tjera. Këtë koncept zhvillimor ta shtrijmë në të gjitha dimensionet e funksionimit të shtetit sidomos në sistemin politik ku do ti demontojmë çerdhet e fundit të cilat fatkeqësisht vështir çlirohen nga ngarkesat e të kaluarës,” potencoi z. Ziberi.

Në fund të fjalimit të tij, z. Ziberi nënvizoi se kërkesa e tyre për postin e kryeministrit të RMV-së është një kërkesë e drejtë dhe natyrshme, pasi vetë Kushtetua thotë se çdo qytetarë ka të drejt të zgjedh dhe të zgjidhet andaj sipas tij askush nuk mund të mohoj kandidaturën e tij.

“Nga Komuna e Zhelinës po ju drejtohem atyre që të ndërpresin fjalimet që shkaktojnë pakënaqësi te qytetarët pasi pas 15-të korrikut duhet të ulemi e të bisedojmë. Le të na tregojnë një fjali nga platforma e tyre ku shkruan se gjuha shqipe të jetë zyrtare? Por JO në programet e tyre nuk ka kështu përcaktimi. Ky përcaktim është në programin e Ali Ahmetit. Ky përcaktim buron nga vullneti dhe zemra e popullit shqiptarë. Sikurse ne mos e kishim kërkuar këtë drejt ata nuk janë aq zemërgjerë që të na e falnin pozitën e kryeministrit,” përfundoi Ziberi.