Ziberi: “Mungon zbatimi i plotë i Konventës së KB-së për të drejtat e personave me nevoja të veçanta”

Gëzimi i të drejtave të fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara në dekadën e fundit nuk ka shënuar progres të dukshëm si për arsye objektive ashtu edhe për arsye subjektive. Pavarësisht mbulimit të mirë nga ligjet dhe rregullativat nënligjore, ka mungesë të zbatimit të vazhdueshëm dhe të plotë të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Kështu u konkludua sot nga Avokati i Popullit, Naser Ziberi në konferencën rajonale me temë “Forcimi i institucioneve kombëtare për të drejtat e njeriut si mekanizma të pavarur për monitorimin e zbatimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (KPAK)”, organizuar nga Zyra e KB-së në Maqedoninë e Veriut dhe Avokati i Popullit i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Qëndrimi ynë për promovimin e të drejtave dhe përmirësimin e gjendjes së personave me aftësi të kufizuara mbetet aktual. Është e një rëndësie të veçantë shqyrtimi i këtyre çështjeve përmes prizmit të të drejtave të njeriut dhe përmes një qasjeje të bazuar në të drejtat, mbi të cilën bazohet Konventa, e cila, ndër të tjera, kërkon gjetjen e mënyrave për të respektuar, mbështetur dhe promovuar diversitetin njerëzor duke krijuar kushte që mundësojnë pjesëmarrje të konsiderueshme të një game të gjerë njerëzish, duke përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuara”, theksoi Ziberi.

Si Avokati i Popullit, Ziberi beson se mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara nuk duhet të kufizohet në ofrimin e shërbimeve lidhur me aftësinë e kufizuar, por marrjen e masave për ndryshimin e qëndrimeve dhe sjelljeve që stigmatizojnë dhe margjinalizojnë personat me aftësi të kufizuara.

“Përveç kësaj, është e nevojshme të vendosen politika për të mundësuar heqjen praktike të barrierave për qasjen dhe realizimin e të drejtave civile, kulturore, ekonomike, politike dhe sociale të personave me aftësi të kufizuara”, tha Ziberi.
Ai shtoi se kemi një rrugë të gjatë për të bërë në përmirësimin e situatës dhe përfshirjen dhe integrimin e plotë të personave me aftësi të kufizuara, në përputhje me parimet e Konventës.

“Sfidat janë sistematike dhe afatgjata, por kjo nuk na dekurajon. Ne jemi të vetëdijshëm për këto procese, si dhe për rolin tonë, ndërsa Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara është një mjet që do të na ndihmojë të luftojmë për të drejtat e këtyre personave, me pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuar dhe organizatave të tyre “, tha Ziberi.

Koordinatorja Aktuale e KB-së Rosana Duxhak theksoi se vetëm përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet qeverive, organizatave ndërkombëtare dhe rajonale, shoqërisë civile dhe sektorit privat mund të zbatojmë në mënyrë efektive Konventën dhe angazhimet ndaj objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.