Ziberi: Më befasoi thirrja e Ali Ahmetit dhe u ndjeva i vlerësuar

Lideri i BDIsë Ali Ahmeti i cili nisi fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 15 korrikut, në konventën promovuese në Prespë shpalosi emrin e shumëpritur për kryeministët të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ish deputetin dhe nënkryetarin e qeverisë dhe bashkë-përpilues të Marrëveshjes së Ohrit, Naser Ziberi.
Kandidati për Kryeministër në fjalën e tij u shpreh u bindur që ka ardhur koha për barazi të plotë.

“Më befasoi thirrja e z. Ali Ahmeti me ftesë për takim në zyrën e tij. Më njoftoi që që ishte konsultuar me shumë njerëz të respektuar të shoqërisë civile dhe akademike dhe se emri im ishte ndër të propozuarit si kandidat mbipartiak. Sinqerisht, u befasova dhe natyrisht ,u ndjeva i vlerësuar.

Për të qenë plotësisht i sinqertë, mendova vet me vete se kjo jo vetëm që do të ndryshonte jetën time por ishte gjithashtu një përgjegjësi mjaft e madhe. Një vendim jo i thjeshtë për t’u marrë, dhe jo shumë kohë për ta menduar.

Por, çeliku kalitet në zjarr dhe individi vlerësohet për nga vendimet që i merr për të mirën shoqërore përballë rehatisë individuale, andaj dhe thash: PO.”

“Pas konsultimeve intensive me shoqërinë civile, botën akademike, ekspert dhe opinion krijues, por edhe me miq e dashamirë, arritëm deri tek emri unifikues dhe meritor për të qenë i pari shqiptar që garon për të thyer edhe kornizën e fundit një-etnike në Maqedoninë e veriut, atë të kryeministrit të vendit dhe ky është Naser Ziberi i cili i ka të gjitha virtytet për të prirë ekzekutivin e vendit drejt barazisë së
plotë.” tha Ahmeti.