Ziberi: Barazia fillon me arsimin!

Ziberi: Në një vend të barabartë, çdo fëmij duhet të ketë të njëjtat mundësi. Orët mësimore të detyrueshme të gjuhës shqipe për të gjithë nxënësit nga klasa e 5-të janë çështje e barazisë

Sot, në oborrin e shkollës “Hasan Prishtina” në Çair, kandidati për Kryeministër, Naser Ziberi dhe bartësi i listës së zonës dy, Arbër Ademi, realizuan takim me mësuesit dhe arsimtarët, për të dëgjuar nevojat e tyre dhe për të diskutuar se si mund të përmirësohet cilësia e arsimit dhe veçanërisht barazia në arsim.

“Plani im i veprimit gjatë 100 ditëve të para si Kryeministri shqiptar përfshin zotimin që parasheh një ardhmëri më të mirë për rininë sonë. Ne do ta bëjmë arsimin parashkollor të detyrueshëm dhe do të ofrojmë kopshtet për fëmijë në çdo komunë” – theksoi Naser Ziberi, duke shtuar se edukimi i detyrueshëm parashkollor garanton arsim të barabartë për të gjithë fëmijët pavarësisht gjendjes së tyre sociale dhe gjithashtu ndihmon familjet e reja, gjë që është vërtetuar shkencërisht, se arsimi parashkollor kontribuon në karrierën arsimore të fëmijëve dhe ul hendekun shoqëror”.

Njëherit ai shtoi se “investimi ynë më i rëndësishëm do të jetë rritja e pagës minimale për mësuesit dhe arsimtarët në 600 euro, me çka do të vlerësojmë punën e tyre të palodhshme dhe kontributin e mësuesve dhe arsimtarëve për të ardhmen e fëmijëve tanë, që janë e ardhmja e shoqërisë sonë. Ne ua besojmë fëmijët tanë atyre,ndaj nuk ka asnjë përgjegjësi më të lartë se kjo, dhe kjo duhet të kompensohet.

Ndërkaq gjatë kësaj vizite bartësi i listës së zonës dy, Arbër Ademi, potencoi se do të investohet në infrastrukturën arsimore, në ndërtimin dhe rinovimin e kopshteve dhe shkollave në lagjet shqiptare, projekte të cilat disa prej tyre veç më janë në realizim e sipër. “Të ndërtojmë një infrastrukturë të barabartë, shkolla dhe kopshte bashkëkohore, edhe në lagjet që kanë mbetur pas sa i përket infrastrukturës për shumë vite – theksoi Ademi.

Kandidati për Kryeministër, Naser Ziberi, u zotua se një masë tjetër e rëndësishme e 100 ditorit të parë është zbatimi i detyrueshëm i gjuhës shqipe nga klasa e 5-të. Ligji i gjuhëve u miratua në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe tani më gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në këtë vend. Kjo është arritja më të rëndësishme për ne shqiptarët – theksoi Ziberi