Ziadin Sela për EUObserver: Ndryshimet kushtetuese, një mundësi historike për evropianizimin e Maqedonisë

Në një shkrim autorial për mediumin prestigjioz evropian EUObserver në kohën kur Kuvendi i Maqedonisë po diskuton ndryshimet kushtetuese, Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, është shprehur se Maqedonia nuk ka nevojë për pajtim në mes të LSDSM-së, VMRO-së dhe BDI-së, por për një gjyqësor të pavarur në mënyrë që keqbërësit nga të gjitha partitë të sillen pas hekurave si dhe mbi të gjitha, për një pajtim midis shqiptarëve dhe maqedonasve, bazuar në një marrëveshje të brendshme për barazi të plotë midis komuniteteve. Ziadin Sela ka theksuar se ndryshimi i kushtetutës e ofron mundësinë historike për t’a arritur këtë qëllim, duke shpalosur planin tre pikësh të Aleancës për Shqiptarët për ndryshimet kushtetutese.

Një mundësi historike për evropianizimin e Maqedonisë.

Ajo që pritej të ndodhte ndodhi. Qeveria e Maqedonisë lejoi që ish-kryeministri Nikolla Gruevski të arratiset dhe të kërkojë azil politik në Hungari.
Farsa shkoi aq larg saqë Kryeministri Zoran Zaev ngriti dyshime për rrëmbimin e mundshëm të Gruevskit, duke asgjësuar kështy edhe atë pak kredibilitet që i kishte mbetur qeverisë së tij.
Ky zhvillim vrau shpresën e qytetarëve tanë se drejtësia mund të mbizotërojë në këtë vend, duke dëmtuar kështu seriozisht procesin e nisur më 27 prill 2017 për të ankoruar Maqedoninë në mënyrë të përhershme me BE-në pasi arritëm të përmbysim regjimin VMRO-DPMNE / BDI.
Gjatë grusht shtetit të dështuar të 27 prillit 2017 – më vonë i kualifikuar si një sulm terrorist – pasi u rraha nga dhjetëra huliganë, u lash për të vdekur në korridoret e parlamentit.
Qindra huliganë, paramilitarë të maskuar dhe agjentë të shërbimeve inteligjente u futen brenda parlamentit nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, me një mision për të më eliminuar mua si dhe udhëheqësin e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LDSM) Zaev.
Aleanca për Shqiptarët ka luajtur një rol kyç në arritjen e 61 deputetëve të nevojshëm për të formuar mazhorancën e re.
Megjithatë, pas më pak se gjashtë muaj ne vendosëm që të largohemi nga qeveria pasi u bë e qartë se Zaev nuk mund të sjellë transformimin radikal të nevojshëm për evropianizimin e Maqedonisë.
Përkundrazi, ishim dëshmitarë të instalimit të një kapje të re të shtetit nga LDSM-BDI, pasi Zaev filloi të rehabilitonte politikanë të korruptuar.
Është shumë ilustrative se si ai emëroi për zëvendës të tij përgjegjës për integrimin në BE, Bujar Osmanin, një ish-ministër i shëndetësisë i Gruevskit, për të cilin vetë Zaev më 2015 kishte dorëzuar padi për korrupsion dhe i cili tani është duke u hetuar nga prokuroria speciale.
Kjo mosndëshkueshmëri ka bërë që një numër i ministrave të tanishëm të përfshihen në raste korruptive.
Korrupsioni gjithashtu shpjegon dështimin e referendumit të 30 shtatorit mbi Marrëveshjen e Prespës.
Unë e kisha paralajmëruar publikisht qeverinë se mbajtja e referendumit ishte e rrezikshme dhe e panevojshme, sepse vetëm do të rriste tensionet midis qytetarëve, ndërkohë që parlamenti prapë se prapë do të ishte ai që duhet të ndryshojë kushtetutën, pavarësisht rezultatit.
BE dhe NATO
Përkundër këtyre rezervave, ne e mbështetëm referendumin dhe votuam për ndryshimin e kushtetutës, duke besuar fuqishëm se Maqedonia nuk ka perspektivë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s.
Megjithatë, jemi thellësisht të shqetësuar me shumicën prej dy të tretave të siguruar nga Zaevi duke u mbështetur në një numër deputetësh të VMRO-së të ndjekur në lidhje me ngjarjet e 27 prillit dhe raste të korrupsionit.
Vëzhguesit kanë ngritur dyshime për premtime për amnisti, shantazh dhe blerje të deputetëve përmes përfshijes së ish-shefit të shërbimit inteligjent të Gruevskit, Sasho Mijalkov, tani të konfirmuara pjesërisht nga thirrjet e Zaevit për falje dhe pajtim kombëtar.
Kjo nuk duhet të lejohet. Maqedonia nuk ka nevojë për pajtim në mes të LSDSM-së, VMRO-së dhe BDI-së.
Ajo për të cilën ka nevojë Maqedonia është një gjyqësor të pavarur në mënyrë që keqbërësit nga të gjitha partitë të sillen pas hekurave. Mbi të gjitha, ajo për të cilën ka nevojë Maqedonia është pajtimi midis shqiptarëve dhe maqedonasve, bazuar në një marrëveshje të brendshme për barazi të plotë midis komuniteteve.
Plani tre pikësh për ndryshimet kushtetutese
Ndryshimi i kushtetutës e ofron mundësinë për t’a arritur këtë qëllim duke i adresuar çështjet e mëposhtme:
1. Kushtetuta duhet t’a përcaktojë Maqedoninë si shtet i maqedonasve, shqiptarëve dhe I komuniteteve të tjera që e përbëjnë atë. Shqiptarët janë autoktonë në Maqedoni dhe jetojnë në tokat e tyre stërgjyshore. Ata nuk guxojnë të trajtohen si banues të përkohëshëm në një shtet komb maqedonas.
2. Shtetësia siç është formuluar në Marrëveshjen e Prespës, “Maqedonas / Qytetar e Republikës së Maqedonisë Veriore”, është e papranueshme. Maqedonia është themeluar si një vend multietnik ku qytetarët me prejardhjeve të ndryshme kombëtare, përfshirë maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, vllehët dhe të tjerët kanë “shtetësinë e Republikës së Maqedonisë” nën kushtetutën aktuale. Përpjekjet e Zaevit për t’a lidhur shtetësinë me kombin maqedonas janë fyese ndaj shqiptarëve, të cilët nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë maqedonas. Nëse përkufizimi i tanishëm i shtetësisë ndryshohet megjithatë, atëhere edhe shqiptarët do të kërkojnë të drejtën e përdorimit të kombësisë së tyre pranë shtetësisë në formën “Shqiptar / Qytetar i Republikës së Maqedonisë Veriore”.
3. Shqipja duhet të konfirmohet si gjuha e dytë zyrtare e vendit. Është e papranueshme që fjala “shqip” të mbetet një fjalë e ndaluar dhe gjuha jonë të quhet “gjuha ndryshe nga maqedonishtja dhe e cila flitet nga të paktën 20 përqind e popullsisë”, duke nënkuptuar një të drejtë të përkohshme e cila mund të pezullohet në bazë të përqindjeve.
Duke marrë parasysh këto më sipër, unë u bëj apel të gjithë liderëver të partive politike që të ulemi së bashku dhe të arrijmë një marrëveshje në mënyrë që kushtetuta e re të adresojë këto probleme në një frymë vërtet evropiane.
Kjo do të hapte rrugën për krijimin e një qeverie teknike që ka legjitimitetin si dhe kredibilitetin për ndryshimin e kushtetutës, para shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.
BE-ja përmes strategjisë së saj të re për zgjerim ka vendosur qëllime ambicioze për mbështetjen e një transformimi gjithëpërfshirës politik, ekonomik dhe shoqëror të Ballkanit Perëndimor.
Tani BE e ka për detyrë që t’a mbikëqyrë procesin e mësipërm, nëse është ajo serioze për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë.
Brukseli duhet t’ua bëjë të qartë të gjithëve në vend se diversiteti kulturor dhe gjuhësor është në thelbin e projektit evropian, njejt siç janë qeverisja e mirë dhe llogaridhënia.
Kjo do të thotë se procesi i integrimit evropian të Maqedonisë nuk duhet të udhëhiqet nga politikanët e hetuar për korrupsion dhe as të mbështetet në deputetë terroristë në shkëmbim të amnistisë se tyre.
Kjo gjithashtu do të thotë se Hungaria duhet që menjëherë t’ia dorëzojë Gruevskin Maqedonisë.
Linku: https://euobserver.com/opinion/143427