Zhduken provat e të pagjeturve – rrëfimi i nënës Ferdonije

Plaga më e rëndë e luftë ende nuk është mbyllur. Madje, edhe identifikimi i të zhdukurve u kthye në pikën zero. EULEX’i ka rinisur procesin e mbledhje së provave të reja nga familjarët e personave të pagjetur. T7 sjell rrëfimin e Ferdonije Qerkezi nga Gjakova, e cila i ka të zhdukur në luftë burrin dhe katër djemtë.

Tash e 19 vjet ende nuk po dihet për fatin i mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Gjatë gjithë këtyre viteve janë mbledhur prova e dëshmi të ndryshe, porse ende nuk është arritur të ndriçohet fati i tyre.

<iframe width=”640″ height=”360″ src=”https://www.youtube.com/embed/YRgz9jlRNNo” frameborder=”0″ allow=”autoplay; encrypted-media” allowfullscreen></iframe>

Televizioni 7 merr vesh se së fundi, misioni EULEX ka nisur mbledhjen e provave të reja tek familjarët e të zhdukurve, me arsyetimin se provat e mëhershme janë zhdukur.

Ndërkohë që këta të fundit presin thuajse çdo ditë të mësojnë të vërtetën për më të dashurit e tyre.

Është nëna Ferdonije Qerkezi nga Gjakova ajo që datën e 27 marsit të vitit 1999 e kujton me plotë dhimbje e lot.

Atë ditë forcat policore serbe u futën me dhunë në shtëpi dhe i rrëmbyen bashkëshortin Halimin, dhe katër djemtë- Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin.

Pushteti kriminal serb, tentoi të mbyllë përgjithmonë derën e shtëpisë së Halimit, megjithatë zonja e kësaj shtëpie, vazhdon të jetojë me kujtimet e nënës.

Televizioni 7 ka vizituar shtëpinë e familjes Qerkezi e kthyer tashmë në muze historik.

Shtëpia është e qetë, e zbrazur nga njerëzit. Por e mbushur me kujtime e dhimbje që e zonja e shtëpisë i bartë e vetme tash e 19 vjet.

Fotografitë, veshmbathjet, testet shkollore janë disa nga artefaktet me të cilat Ferdonija e nis dhe e përfundon ditën.

Lotët nuk i përmban dot, derisa flet për mungesën e djemve e të bashkëshortit.

Nëna Ferdonije, tregon fjalët e fundit që bashkëshorti i saj Halimi i’a tha, pak para se policia serbe t’i arrestonte për të mos i kthyer kurrë më.

Ndërkohë që në mur ka vendosur edhe një ese të djalit të saj- Edmondit, i cili atë kohë e shkroi për dashurinë dhe sakrificën që duhet bërë për atdheun.

Nënës Ferdonije çdo dhimbje e re po i shemb të vjetrën, megjithatë ajo vazhdon të jetojë me shpresën se shumë shpejt do të mësojë të vërtetën rreth familjarëve të saj …të gjithë ata që bënë krime të marrin dënimin e merituar.