Zgjim Hyseni dhe Frashër Krasniqi u dënuan me nga 100 euro

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hyseni, i cili së bashku me Frashër Krasniqin janë arrestuar sot nga Policia për shkak se të njëjtit kanë zhvilluar një aktivitet për ta kundërshtuar qasjen Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se janë dënuar 100 euro.

Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai ka bërë të ditur se gjoba iu është shqiptuar për vandalizëm.
“Ne e kemi zhvilluar një aktivitet me ç’rast e kemi kundërshtuar qasjen e Lajçak. Prej fillimit ne kemi qenë kundër qasjes që ka zgjedhur BE në raport me dialogun”.
“Tashmë ka filluar të vërehet se qasja e BE-së nuk do ta ketë për efekt final zgjidhjen përfundimtare të problemeve midis dy popujve. Ata flasin për zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe nuk flasin për zgjidhje finale”.

“Kur nuk flasin për njohje reciproke, presioni për zbatimin e asociacionit është rritur. Në reagim ndaj këtyre zhvillimeve ne sot e kemi zhvilluar një aktivitet para zyrës së BE-së në Prishtinë”.
“Në përfundim të aktivitetit, ka ardhur një njësi që ka kërkuar që ne të shkojmë në stacion. Ne kemi thënë se veç kemi ushtruar të drejtat tona demokratike. Mirëpo pas insistimit të tyre, ne jemi dërguar në stacionin nr.1 në Prishtinë”.

“Nuk mund të them nëse kemi qenë të arrestuar apo të ndaluar, por kemi qëndruar atje për rreth 1 orë e gjysmë”.
“Neve na është shqiptuar dënimi prej 100 eurosh për vandalizëm – 100 euro për secilin. Nuk e di nëse do t’i paguajmë, besoj se dënimi nuk është i drejtë dhe do të ushtrojmë ankesë karshi tij”.