Keqtrajtimi i të moshuarës në qendrën “Orenda” në Pejë siç duket nuk është i vetmi. Edhe një banore tjetër është keqtrajtuar më parë në këtë qendër. Për këtë rast, Tomor Hasani ka dërguar ankesë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por ai nuk ka marrë përgjigje. Hasani ka dhënë detaje për rastin.
Vitin e kaluar, Tomor Hasani, ka dërguar një ankesë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për keqtrajtimin e një familjarjeje të tij. Ai tha se bëhet fjalë për hallën e babait të tij. Në një bisedë me median kosovare Gazeta Express, ai ka treguar se e moshuara i është rrëfyer babait të tij, në këtë rast vëllait të vet.
“Gjyshi jem ka shku me vizitu motrën e vet dhe kur kanë fillu me bisedu ajo ka nisë me qajt dhe ka tregu që infermieret po sillen keq me të”, deklaroi Hasani. Ai tha se nuk e di nëse bëhet fjalë për keqtrajtim fizik, mirëpo shtoi se familjarja e tij është ankuar se infermieret nuk po kujdesen mirë për të gjatë natës.
“Për keqtrajtim fizik nuk e di që ka pasë, mirëpo ndoshta prej frikës nuk ka tregu… Nuk e di, nuk mund të them asgjë për keqtrajtim fizik, mirëpo ajo ka thënë se verbalisht infermieret janë sillë keq. Psh, natën kur ka pasë nevojë, nuk kanë marrë ndihmë prej infermiereve”, tha Hasani.
Ai tha se për këtë çështje ka dërguar email në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje nga ta. ‘Përgjigje’ ai mori nga pronari i qendrës “Orenda”.
“Kam dërgu email në ministri, s’kam marrë përgjgije. Mirëpo kom marr prej drejtorit, i cili më ka thënë ‘pse ke vepru në mënyrë të njëanshme, e nuk na ke lajëmru neve’ dhe u ka bërë presion fëmijëve të hallës së babait me e tërheq ankesën, por unë nuk e kam tërheq”, tha ai. Ai tha se nuk e din nëse ende familjarja e tij qëndron në këtë qendër, pasi sipas tij, me çështjen janë marrë fëmijët e saj.
“Fëmijët janë marrë me atë punë, se ata kanë qenë të mllefosur me mu se janë tutë që po hakmerren infermieret”, tha Hasani. Ai në adresën e Gazetës Express ka dërguar edhe emailin që e ka dërguar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
“Përmes kësaj shkrese dua të ndaj me ju një ankeë të familjares sime, e cila është e moshuar. “Orenda” në Pejë (Rruga “Maria Shllaku”, nr 12). Ajo ankohet se infermieret në këtë rezidencë kanë sjellje të pahijshme ndaj të moshuarve që janë të vendosur aty, Kjo ndodh posaqërisht në ndërrimin e natës, kur të moshuarave me nevoja të veçanta u nevojitet ndihmë për gjërat që nuk mund t’i kryejnë vetë”, thuhet në emailin që Hasani e ka dërguar në MPMS.
Sot në media e rrjete sociale është publikuar një video, ku shihet se një infermiere e rrah me shuplaka e shqelma një të moshuar në qendrën “Orenda”, derisa infermieret e tjera qeshin e incizojnë. Tashmë në prangat e policisë kanë përfunduar tri nga infermieret, ndërsa hetimet vazhdojnë.