Zgjerohet me katër klasa të reja shkolla ekonomike

Aktualisht janë duke u zhvilluar punët për zgjerimin e objektit të Shkollës së Mesme Ekonomike Komunale “8 Shtatori” në Tetovë. Sipas paralajmërimeve, do të ndërtohen edhe katër klasë të reja dhe një amfiteatër modern. Me këtë do të rriten kapacitetet e kësaj shkolle, por edhe njëkohësisht pritet që të përmirësohet edhe kualiteti i procesit edukativo-arsimor në këtë shkollë të mesme ekonomike. Ndërtimi i katër mësonjëtoreve të reja dhe amfiteatrit modern ka filluar para një muaji, dhe punët janë duke u zhvilluar me rritëm të shpejtë.

Investimi i përgjithshëm kap vlerën rreth 7.2 milionë denarë, me të cilët mjete zgjerohet objekti dhe rritet kapaciteti hapësinor në këtë shkollë. Shkak për këtë intervenim në këtë shkollë të mesme ekonomike në Tetovë është se viteve të fundit ka një interesim më të madh të semimaturantëve për t`u regjistruar në këtë shkollë. Prandaj edhe janë duke u ndërtuar këta katër mësonjëtore. Me këtë, nxënësve do t’u shtohen kapacitetet për pranim të numrit më të madh të nxënësve, por njëkohësisht edhe kushte më të mira për mësim.

Mirjeta Iljazi, drejtoreshë e kësaj shkolle, thekson se viteve të fundit dukshëm është rritur interesimi për regjistrim të nxënësve në këtë shkollë dhe shpeshherë është hasur në probleme me shpërndarjen e nxënësve nëpër paralele. “Qëllimi i këtij zgjerimi të objektit është që kemi më shumë hapësira sipas standardeve që kërkohen. Objekti shkollor është në gjendje relativisht të mirë, nuk kemi patur nevojë për investime, për përmirësim të asaj që kanë deri më tani, por nevoja më e madhe ka qenë për zgjerim.

Me këtë tentojmë që të krijojmë kushte për të zhvilluar procesin mësimor praktik si duhet në një shkollë profesionale. Ne viteve të kaluara nuk kemi patur kapacitet që në një klasë të marrin 30 nxënës. Po ashtu edhe në vit të parë kemi 289 aplikime të semimamturantëve dhe gjatë shpërndarjes do të kemi probleme, prandaj tentojmë të krijojmë kushte për më shumë komoditet për nxënësit” tha drejtoresha Mirjeta Iljazi.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, pas një vizite që i bëri kësaj shkolle tha se punët rreth zgjerimit të kapaciteteve të kësaj shkolle bëhen me mjete të komunës. “Ky është projekt i punuar nga shkolla. Ideja për zgjerim të objektit të kësaj shkolle është të shfrytëzohet për mësim nëpër kabinete dhe për drejtime profesionale. Ne me mundësitë tona do të vazhdojmë të përkrahim shkollat për mësim më kualitativ”, tha kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Punimet për zgjerimin e objektit të Shkollës së Mesme Ekonomike Komunale “8 Shtatori” në Tetovë pritet të përfundojnë për disa muaj. Objekti i shkollës është ndërtuar në vitin 1996. Krahas mësimit të rregullt, në këtë shkollë po ashtu nxënësit kanë edhe mësim praktik, ku deri tani këtë lloj të arsimit e kanë zhvilluar në klasa të improvizuara, por me ndërtimin e këtyre katër mësonjëtoreve pritet që hapësirat të jenë të mjaftueshme edhe për mësimin praktik.