Një ditë përpara takimit të Presidenti, Stevo Pendarovski, partitë politike mbeten me qëndrime të ndryshme për datën e zgjedhjeve të parakohshme. Nga kabineti i Presidentit konfirmojnë se takimi do të mbahet nesër në ora 13 dhe të ftuar janë liderët politik Zaev, Mickoski, Ahmeti, Sela, Gashi, Kasami dhe Thaçi. Pos tyre, ftesa kanë marrë edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi dhe kryeministri, Oliver Spasovski. Në komunikatë nuk potencohen temat që do të diskutohen por më herët Pendarovski kishte deklaruar se përveç për situatën aktuale me pandeminë, liderët do të bisedojnë edhe për datën eventuale të organizimit të zgjedhjeve. LSDM-ja vlerëson se nuk janë të nevojshëm dy muaj për organizimin e tyre.
Kjo aspak nuk do të thotë se ekziston afat prej 60 ditësh të cilët duhet të kalojnë nga fundi i gjendjes së jashtëzakonshme, deri në ditën e zgjedhjeve. Zgjedhjet duhet të mbahen më 14 qershor si një datë optimale. Sigurisht, këtë e themi nëse gjërat edhe më tej ecin siç kanë ecur ditët e fundit- deklaroi Snezhana Kaleska Vançeva, LSDM.
Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja vlerëson se prioritet duhet të ketë zgjidhja e krizës shëndetësore dhe ekonomike dhe më vonë të flitet për zgjedhje.
Unë mund të them se VMRO-DPMNE-ja nesër do të shkojë në takim me planin e saj për dalje nga kjo krizë i cili do të na çojë deri në mbajtjen e zgjedhjeve por zgjedhje në të cilat do të jemi të sigurt se asnjë jetë e qytetarëve nuk rrezikohet dhe asnjë qytetarëve nuk do të infektohet- pohoi Aleksandër Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Partia e Hristijan Mickoskit më herët kishte deklaruar që për zgjedhje të reja duhet të kalojnë 60 ditë nga gjendja e jashtëzakonshme, që rezulton të jetë mesi i korrikut. BDI-ja kërkon zgjedhje sa më shpejt që është e mundur kurse Aleanca për Shqiptarët në fund të korrikut ose në fillim të gushtit.Alsat-m