“Zgjedhjet”, në shqyrtim katër data të mundshme


Qeveria pritet të dalë me vlerësim nëse dhe sa duhet vazhduar gjendja e jashtëzakonshme. Mbi këtë vlerësim do të varet edhe rrjedhja e afateve për zgjedhjet parlamentare. Kryeministri Oliver Spasovski në mënyrë indirekte paralajmëron vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme por jo domosdoshmërish për 30 ditë të tjera.

Duke pas parasysh shëndetin e qytetarëve i cili është mbi gjitha, neve në bazë të këtij parimi do t’i marrim vendimet. Të presim 2 ditë kur do të mblidhet Qeveria dhe mbi vlerësimet e bëra do të vendosim nëse duhet gjendje e jashtëzakonshme dhe sa ditë -deklaroi Oliver Spasovski, Kryeministër.

Qeveria duhet ta vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme në bazë të datës së zgjedhjeve që do të arrihet me konsensus politik. Ish gjykatësi kushtetues, Dane Iliev në një bashkëbisedim për Alsat thotë se afatet rrjedhin pas shfuqizimit të moratoriumit dhe nuk ka hapësirë interpretimi. Çfarë ndodhë në rast se zgjedhjet bien në ditë punë? Iliev thotë se data nuk mund të zhvendoset pasi këtë nuk e lejon dekreti për zgjedhjet, por sipas tij Qeveria duhet thirrur në praktikat e mëparshme dhe atë ditë ta shpallë ditë jo pune me qëllim mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Në rast se partitë politike merren vesh për zgjedhje 22 ditë pas 17 majit, data e mundshme do të ishte 7 qershori. Në rast se gjendja vazhdohet për 1 javë, zgjedhjet do të mbahen më 14 qershor, ndërsa në rast se gjendja e jashtëzakonshme vazhdohet për 2 javë zgjedhjet do të caktoheshin më 21 qershor. Nëse Qeveria kërkon edhe 30 ditë gjendje të jashtëzakonshme datë për zgjedhje mund të jetë 7 korriku.

Gjendje e jashtëzakonshme Zgjedhjet
7 ditë 14 qershor
14 ditë 21 qershor
30 ditë 7 korrik
Ekspertët vlerësojnë se partitë politike bashkërisht me KSHZ-në duhet gjetur konsensus edhe për azhurnimin e listës zgjedhore./Adrian Kerimi