Zgjedhjet në Serbi, Kamberi kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në Luginë të Preshevës

Kandidati për deputet në Kuvendin e Serbisë nga “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, Shaip Kamberi, ka kërkuar që zgjedhjet në Luginë të Preshevës të përsëriten, pasi sipas tij procesi nuk ishte i lirë, as demokratik. Megjithëse në zgjedhjet e 3 prillit “Koalicioni I Shqiptarëve të Luginës” ka marrë mbi 9600 vota, Kamberi tha se nuk janë garanci se mund të fitojnë një mandat.

““Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” i përbërë nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9644 përkundër vështirësive të shumta me të cilat u përball në këtë proces zgjedhor”, ka thënë Kamberi në një postim në Facebook.
Sipas tij, zgjedhjet e fundit në Serbi të datës 3 prill u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve shqiptarë.

“Pasivizimi i vendbanimeve të shqiptarëve që rezultoi me shlyerjen e tyre nga listat zgjedhore deligjitimoi procesin zgjedhor, sidomos në Luginën e Preshevës”, tha ai.
“Shumë shqiptarëve i është pamundësuar e drejta elementare. E drejta për të votuar. Kjo e bënë procesin zgjedhor jodemokratik. Zgjedhjet jo të lira”, ka thënë Kamberi.

Prandaj, Kamberi ka thënë se zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar të Luginës së Preshevës.
“Me këtë rast, dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët për kulturën e lartë politike që kanë shpërfaqur gjatë këtyre zgjedhjeve”.

“Përulje për të gjithë aktivistët në radhë të parë të Partisë për Veprim Demokratik dhe të partnerëve tanë politik – Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, që nuk kursyen asgjë prej tyre, gjatë kësaj fushate që më mbështeten pa rezervë. Ai ka thënë se “megjithë votat e marra ato akoma nuk janë garancë për të fituar një mandate”.
Për procesin e zgjedhjeve në Serbi, ka reaguar eurodeputetja Viola von Cramon. Përmes një shkrimi në Tëitter, Cramon ka thënë se zgjedhjet në Serbi nuk ishin as të lira e as fer.

“Zgjedhjet Serbe demonstruan zhvillime pozitive pasi një numër i konsiderueshëm i votuesve ishin të etur për të marrë pjesë. Serbia do të ketë sërish një Parlament pluralist dhe të larmishëm. Megjithatë, zgjedhjet në Serbi nuk ishin as të lira e as të drejta”, shkori ajo.

Ndërkaq, pas raportimeve se shqiptarët po fshihen nga lista e votuesve në Serbi, Cramon kërkuar që raste të tilla të përfshihen në raportin paraprak të Misionit vëzhgues të zgjedhjeve, por edhe në deklaratën e PE-së.
Von Cramon u përgjigj kështu ndaj ankesës së Teuta Fazliut, e cila ka bërë të ditur në Tëitter se nuk ka mund të votojë pasi është fshirë nga lista e votuesve ndonëse është nga Bujanovci.

“Ju lutemi sigurohuni që këto raste të mbulohen mjaftueshëm në raportin paraprak të Misionit Vëzhgues Zgjedhor, por veçanërisht në Deklaratën e PE-së”, ka thënë Von Cramon, me 3 prill. Për mohimin e të drejtës për të votuar, ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani. Osmani të dielën tha se 6 mijë shqiptarëve në Serbi iu mohua e drejta për të votuar, dhe kjo sipas presidentes, është fushatë e qëllimshme e Serbisë ndaj shqiptarëve atje.
Në bazë të një vlerësimi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të bërë në vitin 2015, janë rreth 70 mijë banorë shqiptarë të regjistruar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. /Telegrafi/