“Zgjedhjet e parakohshme, luks i palejueshëm”, Analistët: vendi të fokusohet në përmbushjen e reformave

Kur pritet që në prill të mbahen zgjedhjet presidenciale, partia opozitare VMRO DPMNE kërkon që bashkë me to të mbahen edhe ato parlamentare. Por sa është e nevojshme zgjedhja e një qeveria të re tani kur duhet të rrumbullakohen e reformat që afrojnë vendin në NATO dhe BE. Analistit Naser Ziberi, shprehet se zgjedhjet e parakohshme politike do të ishin luks i panevojshëm për vendin tonë. Sipas tij VMRO-DPMNE-ja nuk është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, por në pamundësi që të ofrojë alternativë për projektet aktuale të qeverisë, si opozitë del me idenë për zgjedhje të parakohshme. Ziberi shton se qëndrimet e VMRO DPMNE-së  kundër marrëveshjes së Prespës i lënë kësaj partie mundësi shumë të vogla që ndonjë subjekt shqiptar të bëjë koalicion me ta.

“Vendit për momentin nuk i duhet zgjedhje të parakohshme, pas mbylljes së këtij cikli të vrullshëm dhe të bujshëm të ndryshimeve në RM, sidomos në marrëdhëniet ndërkombëtare që i  hapin vendin perspektiva euroatlantike. Qeveria, Kuvendi dhe institucionet duhet tu kthehen detyrave të shtëpisë, qasjes së rrumbullakimit të reformave që na afrojnë më afër NATO-së dhe BE-së. Mendoj se zgjedhjet presidenciale do të jenë një test ku partitë politike do të kenë mundësi që të matin veten, dhe pastaj eventualisht të analizohet ideja për zgjedhje të parakohshme”, tha Naser Zyberi – Analist.

Nga ana tjetër analisti Petar Arsovski thotë se kërkesa e VMRO-DPMNE-së është logjike, dhe se ka anë të mira, por edhe të këqija. Sipas tij, momentalisht Maqedonia është para sfidave të mëdha të cilat duhet ti kryejë me sukses, megjithatë  zgjedhjet do të ishin zgjidhje e mirë për vendosje të politikave të reja.

“Ka arsye pse të mbahen, por edhe të mos mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kur shteti të bëjë kthim të këtillë dramatik të ideologjisë së vet, të strategjisë nacionale dhe pozicionit strategjik, atëherë është logjike të mbahen zgjedhje që të zhvendosen kartat politike, të shihet kartë e re politike dhe politikanë të rinj të cilët ndajnë mendim me strategjinë e re politike. VMRO-DPMNE aq shumë u tërhoq nga ajo që është e rëndësishme për partitë shqiptare në Maqedoni, dhe ato janë integrime euroatlantike, saqë mendoj se do të jetë shumë e vështirë për cilëndo parti shqiptare që të bëjë koalicion me VMRO-DPMNE-në, madje edhe pas zgjedhjeve, të mos flasim për koalicion zgjedhor”, u shpreh Petar Arsovski- Analist.

Zgjedhje të parakohshme parlamentare kërkoi  lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski. Ai menjëherë pasi u votuan ndryshimet kushtetuese doli me reagim duke akuzuar qeverinë për mosrespektim të vullnetit të popullit, duke aluduar në referendumin e mbajtur për ndërrimin e emrit. Ndryshe qeveria aktuale ka mandat edhe dy vite të tjera.