Pas taktizimeve të shumta mes dy subjekteve më të mëdha maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE, që po ndodhin ditëve të fundit, lidhur me atë se cila parti politike po bën obstruksion për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KShZ-së, kryetari i Komisionit Kuvendor për Zgjedhje dhe Emërime, Ilija Dimovski, doli me sqarime se vetëm bëhet fjalë për procedurë e cila është e komplikuar.
Ai u bëri thirrje partive politike që t’i konfirmojnë kandidatët për KShZ-në, për t’u plotësuar kushtet e paralajmëruara për mbajtjen e referendumit, për emrin, i cili po planifikohet të mbahet në fund të shtatorit apo në fillim të muajit tetor.
Dimovski deklaroi se amnistia për ngjarjet e 27 prillit, nuk është kusht për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KShZ-së.
“Amnistia nuk është kusht për zgjedhjen e KShZ-së dhe ideja e liderit të VMRO-së, Kristijan Mickovskit, nuk është e lidhur me KShZ-në. Duhet pajtim i plotë i grupeve parlamentare. Hapi i parë është konfirmimi i listës së pastër, ajo duhet në komisionin për zgjedhje dhe emërime, ku LSDM ka 6 anëtarë, OBRM-PDUKM 6 dhe një Besa e Kasamit. E dyta, lista kthehet deri tek Xhaferi, i cili duhet t’i informojë partitë të cilat brenda tre ditëve duhet të përgjigjen për propozimet e tyre. Dhe pastaj komisioni formulon një vendim në pajtueshmëri me ligjin zgjedhor. Propozimi dërgohet deri tek Kuvendi, pastaj votohet me dy të tretat e shumicës. Nëse nuk kemi pajtueshmëri, procedura, nuk do të ketë sukses. E gjithë proceduara duhet të fillojë nga fillimi”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
Dimovski bën thirrje që partitë të merren vesh sa më shpejtë, me atë që presioni mos të bie mbi Kuvendin dhe Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime.
Përndryshe, shpallja për përbërjen e re të KShZ-së ka mbaruar para më shumë se dy javëve.
Partitë politike nuk mundën të arrijnë marrëveshje se cilët anëtarë do t’i propozojnë, ndërsa gjithsej kanë qenë të lajmëruar 41 kandidatë për anëtarë, kryetarë dhe nënkryetarë të KShZ-së.
LSDM akuzoi VMRO-DPMNE-në se po e bllokon procedurën e zgjedhjes së anëtarëve, por nga VMRO mohuan një gjë të tillë duke thënë se ato vetëm po respektojnë procedurat ligjore. (Tvm2)