Zëvendësshefi i NATO-s: Rusia po pëson humbje edhe jashtë fushëbetejës

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, tha se Rusia ka pësuar një sërë humbjesh në dhe jashtë fushëbetejës në vitin e parë të nisjes së pushtimit të Ukrainës, por Kievi ka të ngjarë të përballet me “luftë të gjatë”, duke bërë që mbështetja nga aleatët perëndimorë të jetë kritike.

Geoana, në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë në përvjetorin e parë të pushtimit rus të Ukrainës, tha se Moska me veprimet e saj ka sfiduar rendin ndërkombëtar, duke bërë që mposhtja e pushtimit të jetë e rëndësishme jo vetëm për Ukrainën, por edhe për shtetet demokratike në mbarë botën.

Kjo ndoshta do të kujtohet në librat e historisë si pika e kthesës evropiane dhe ndoshta edhe e historisë së botës”, tha ai për REL-in, duke folur për nisjen e pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

“Duke ndihmuar Ukrainën, ne ndihmojmë çdo ide të çdo shteti, çdo vendi në mbarë botën, që ka të drejtën sovrane të zgjedhë të ardhmen e tij”, shtoi ai.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka justifikuar vendimin e tij për të sulmuar Ukrainën – që ai e quan “operacion të posaçëm ushtarak” – duke përdorur narrativë të rremë, sikurse pretendimi se Kievi udhëhiqet nga një “regjim neo-nazist” apo se e ardhmja e Rusisë është kërcënuar nga agresioni i Perëndimit.

Kampi i Putinit priste që lufta të zgjaste më së shumti disa javë, por një vit më vonë, nuk ka shenja se konflikti po përfundon.

Geoana tha se vendimi i Putinit ka pasur efektin e kundërt që ai dëshironte, me NATO-n dhe Perëndimin më të bashkuar se kurrë më parë, përderisa “janë shënuar një sërë humbjesh strategjike për Rusinë”.

“Ju veçse mund të shihni se Rusia ka humbur reputacionin e saj, reputacionin e forcave të armatosura. Ata mburreshin se ishin një superfuqi ushtarake. Tani, ata nuk po mund të triumfojnë as në Ukrainë”, tha ai.

“Dhe ndoshta më e rëndësishmja është se Putini ka humbur dhe Rusia ka humbur Ukrainën në aspektin emocional. Nëse dhjetë apo 15 vjet më herët, Ukraina dhe ukrainasit e shikonin Rusinë si natyrale, si shtet miqësor, tani ata e shohin Rusinë si kërcënim ekzistencial për mbijetesën e tyre. Prandaj mendoj se Putin ka bërë një llogaritje shumë të keqe, si në aspektin e luftës ashtu edhe në aspektin e identitetit kombëtar për Ukrainën, por edhe në kuptim të unitetit të Perëndimit”.

Shumë shtete e kanë shfrytëzuar përvjetorin e parë të nisjes së luftës për të rritur ndihmën ushtarake për Ukrainën, që i duhet për t’u përballur me forcat ruse në lindje të Ukrainës.

Geoana tha se aleatët po dëgjojnë me vëmendje kërkesat e Kievit dhe po tentojnë që t’i japin Ukrainës atë që i duhet në mënyrë sa më të shpejtë.

Megjithatë, ai paralajmëroi se çështje sikurse ofrimi i avionëve luftarakë nuk janë një mundësi që mund të miratohet shpejt, marrë parasysh se duhet të trajnohet personeli për përdorimin e tyre.

“Tani ne duhet të përqendrohemi në atë që të sigurohemi që aftësitë që i dërgojmë sot Ukrainës të jenë plotësisht funksionale”, tha Geoana, duke shtuar se “po bisedohet vazhdimisht” për avionët luftarakë.

“Një gjë e di, ne duhet të bëjmë më shumë për Ukrainën dhe duhet të bëjmë më shumë me materialin ekzistues që kemi në terren… gjithmonë ka nevojë për më shumë. Por, procesi po funksionon. Procesi ka sjellë rezultate dhe fakti që sot një vit më vonë, Ukraina po qëndron dhe Rusia ka shumë vështërsi për shkak të trimërisë së ukrainasve, por po ashtu edhe për shkak të mbështetjes që kanë pranuar nga shtetet aleate dhe shtetet partnere”./REL/