Zëvendësministri Hasani: E dhimbshme humbja e mjekëve

Vdekja e mjekëve nga klinikat e ndryshme, si pasojë e virusit Covid 19 ka ngritur alarmin tek autoritetet shëndetësore, transmeton North Macedonia Post. Rritja e rasteve në ditët e fundit është bërë mjaft shqetësuese ndërsa spitalet kanë ngritur nivelin e mbrojtjes së stafit mjeksor.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë të shqetësuar për humbjen e stafit mjekësor në këto momente, kur të gjitha spitalet po ballafaqohen me numër të reduktuar të personelit mjeksor, por mbi të gjitha edhe me staf mjaft të lodhur dhe të angazhuar maksimalisht në procesin e luftimit të Covid 19. Shqetësim për situatën ka shprehur edhe zëvendësministri i shëndetësisë Ilir Hasani.

“Aseti më i madh i joni në këto momente të luftës me virusin Covid 19 është personeli mjeksor. Jemi duke bërë përpjekje maksimale që spitalet të kenë kushtet e nevojshme të punës, për mos u rrezikuar personeli mjeksor. Jam i bindur se mjekët në procesin e punës janë maksimalisht të kujdesshëm, por rreziku nuk përfundon vetëm aty, se rreziku më i madh është jashta spitaleve. Është shqetësuese dhe e dhimbshme humbja e jetës së mjekëve dhe personelit mjeksor”, tha për NMK-Post Hasani.

Ai në vazhdim ka apeluar edhe tek qytetarët që me veprimet e tyre të pakujdesshme mos të rrezikojnë jetën e mjeëve dhe personelit mjeksor. Vetëm në ditët e fundit kanë humbur jetën disa mjekë, dhe atë nga Spitali i Tetovës, Gostivarit, Kumanovës dhe Spitali i Fëmijëve në Kozle, ndërsa për disa raste dyshohet se shkak i vdekjes është virusi Covid 19. /NMK-Post.