Sot, organizata “Anima Mundi” akuzoi se zëvendësdrejtori i “Rrugëve të Maqedonisë”, Sasho Drango, ka qëlluar një ari, gjë që me ligj është tërësisht e ndaluar për gjueti. Megjithatë, ai e mohon informacionin.
Edhe pse në fotografi duket qartë se zëvendësdrejtori mban një pushkë me dylbi snajperi dhe qëndron pranë një ariu të ngordhur, në mes të dëborës, në pyll, ai, për TV Telma, mohoi se e ka vrarë. Ai tha se ariu ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti rrugor.
Gjithashtu, ai theksoi se zgjidhjen e rastit do ta kërkojë përmes një procesi gjyqësor. Ai ndau se ka qenë për gjueti arinjsh në Finlandë, nga ku ka fotografi me arinj.
“Para një muaji pata një rast dhe një foto me një ari që në rrugën Manastir-Resmjë humbi jetën si pasojë e një aksidenti trafiku. Si punonjës i ‘Rrigëve të Maqedonisë, isha aty dhe për këtë ka një procesverbal edhe në stacionin policor të Manastirit. Ariun e hoqëm nga korsia e rrugës në zonën Rotino-Manastir. Bëhet fjalë për ariun që është në fotografi,” deklaroi Sasho Drango, zëvendësdrejtori i “Rrugët e Maqedonisë.”
Sipas legjislacionit maqedonas, për arinjtë ekziston një ndalim i përhershëm për gjueti. Në Ligjin për Gjahun dhe Gjuetinë, në Nenin 11, thuhet se ariu si faunë e egër është nën mbrojtje dhe çdo gjueti, përndjekje apo shqetësim i tij është rreptësisht i ndaluar, ndërsa në Nenin 14 është përcaktuar ndalimi i përhershëm për gjuetinë e tij.