Zënkë në Kuvend për shkak të Filipçes, VMRO kërkon seancë për shkarkim, Xhaferi: Nuk kam marrë asnjë dorëheqje


Debat i ashpër në Kuvend rreth kërkesës së VMRO-DPMNE-së që në seancën e sotme të debatohet për dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe kjo pikë menjëherë të vendoset në rend dite. Unë nuk kam marrë asnjë dorëheqje dhe nuk kam çka të vendos në rend dite, ishte përgjigjja e kryeparlamentarit Talat Xhaferi.

“Dorëheqja e një anëtari të Qeverisë, deri te kryetari i Kuvendit paraqitet përmes kryeministrit. A kam marrë një lëndë të tillë, një propozim të tillë nga dikush? Jo, nuk kam. Pse? Nëse ka material të tillë, unë kam për detyrë që menjëherë t’jua dorëzoj. Çfarë t’ju ​​dorëzoj kur nuk kam marrë gjë? Ju më thirrni të vendos në seancën e parë të radhës, për çfarë të vendos? Por, ju jeni duke lexuar vetëm Paragrafin 1 i cili mendoni se ju konvenon për opinionin publik sa i takon procedurës këtu”, tha Talat Xhaferi – kryetar i Kuvendit.

Pas kësaj, deputetët e opozitares VMRO-DPMNE kërkuan që kryeministri menjëherë ta dërgojë dorëheqjen e Filipçes përmes një korrieri. Thoni se dorëheqja është parashtruar, ku është dorëheqja?, pyeti koordinatori Nikolla Micevski.
“Domethënë na dhatë ligjëratë për ç’mos përveç për atë se çka duhet të ndodhë. Njerëz, bëhet fjalë për një institucion serioz, i cili për momentin në pajtueshmëri me atë që e dëgjojmë nga mediat, është pa udhëheqje. Ne kemi ministër dhe zëvendësministër të cilët dhanë dorëheqje gjatë pandemisë. Është një institucion tejet serioz që të mbetet pa udhëheqës dhe të presim të përfundojë pi-ar historia e Zoran Zaevit dhe njerëzve rreth tij. Prandaj, e thërras Qeverinë, në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe Rregulloren ta dorëzojë dorëheqjen e ministrit dhe zëvendësministrit deri te Kuvendi”, u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Atnan Aziri nga Aleanca për shqiptarët konsideron se kryeministri duhet ta pranojë dorëheqjen. Dikush patjetër duhet të mbajë përgjegjësi, shton ai.

Nga LSDM-ja me qëndrim se kërkesa e VMRO-DPMNE-së është manipulim nga ana e opozitës, pasi siç shtojnë, kjo paraqet shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores.
“Në një situatë kur nuk ka as material, as mund të vendoset pika në rend dite, bile edhe me supozim që dorëheqja të arrijë në Kuvend nga ana e Qeverisë, gjegjësisht kryeministrit, ajo duhet të vendoset në seancën e parë të ardhshme”, potencoi Snezhana Kallevska Vançeva nga LSDM.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dha dorëheqje më 10 të këtij muaji, vetëm dy ditë pas zjarrit të madh që shpërtheu në spitalin modular në Tetovë, ku jetën e humbën 14 persona. Në po të njëjtën mënyrë veproi edhe zëvendësministri Ilir Hasani, si dhe drejtorët e spitalit, Florin Besimi dhe Artan Etemi. Deri më tani kryeministri Zaev ende nuk është deklaruar nëse do ta pranojë dorëheqjen e Filipçes.