Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur sot rreth rastit që ndodhi të dielën në Klinikën e Pulmologjisë, ku një kufomë ka qëndruar për disa orë në mesin e pacientëve. Zemaj ka thënë se kjo është kompetencë e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.
I pyetur nëse kanë nisur hetimet lidhur me këtë rast, ai tha se kjo është kompetencë e ShSKUK-së dhe Inspektoratit Shëndetësor.
“Sigurisht se çdo rast që është shqetësues duhet të trajtohet nga institucionet relevante. Për këtë arsye janë inspektoratet brendave institucioneve të shëndetësisë dhe është kompetencë e SHSKUK-së, të trajtojë diçka nëse është me urgjencë”, tha Zemaj.
Rastin të dielën e ka lajmëruar një qytetar përmes rrjetit social Facebook. Ai ka publikuar fotografi të dhomës ku shihej kufoma në shtrat, e në të njëjtën dhomë gjendeshin pacientë të tjerë. Trupi i vd*ekur kishte qëndruar aty për më shumë se shtatë orë.