Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj sot ka prezantuar manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19, i cili ka për qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga përhapja e këtij infeksioni, në kohën kur vendi po përballet me rritje të numrit të rasteve të reja.
Zemaj tha se manuali përmban udhëzues të hartuar nga profesionistët shëndetësorë të Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publik të Kosovës dhe të aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Ai nga kjo konferencë për media pati një mesazh të qartë: përdorini manualin, bartni maska, mbani distancën dhe mirëmbani higjienën.
Zemaj: Zbatoni manualin, përdorni maskat, mbani distancën dhe higjienën
“Manuali ka rekomandime të cilat janë zbatuar në fazat e më hershme të menaxhimit të pandemisë. Të gjitha institucionet respektive obligohen të zbatojnë masat e përcaktuara në këtë manual varësisht nga specifikat e tyre. Ministria do të ndajë këtë manual me të gjitha institucionet qendrore dhe ato lokale si dhe me publikun e gjerë, me qëllim që të përdorin të gjithë si një instrument për mbrojtjen nga përhapja e më tejme e pandemisë Covid-19. Ne besojmë se nga masat e marra nga qeveria dhe rekomandimet IKSHP-së do të na mundësojmë që të kontrollojmë shpërthimin e COVID-19 dhe në këtë aspekt të gjitha pjesët e shoqërisë, përfshirë bizneset, dhe punëdhënësit duhet të luajnë rolet e tyre nëse duhet të ndalojmë përhapjen e kësaj sëmundje. Përballë shifrave në rritje të rasteve me Covid-19 nuk guxojmë të sillemi sikur nuk po ndodhë asgjë dhe të shpërfillim një virus, i cili po manifeston shenja agresiviteti, duke dëmtuar shëndetin, mirëqenien dhe ekonomitë”, deklaroi Zemaj.
Ministri i Shëndetësisë foli edhe për kërkesat e estradës për lejimin e dasmave, i cili tha se janë në bashkëpunim me të gjitha institucionet përkatëse lidhur me vendimin e mundshëm për hapjen e masave për mbajtjen e ahengjeve dhe dasmave, teksa shtoi se nuk e di kur do të ndodhin këto lehtësime.
Lëvizje te postimet