Zelensky: Beteja për Ukrainën Lindore ka filluar


Ukraina thotë se Rusia ka filluar betejën për të vënë nën kontroll pjesën lindore të vendit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha në një fjalim se “tani, mund të themi se trupat ruse kanë filluar betejën për Donbasin, për të cilën ata janë përgatitur për një kohë të gjatë”.

Ai tha se një “pjesë e konsiderueshme e gjithë ushtrisë ruse tani është e përqendruar në këtë sulm”. Rajoni i Donbasit përfshinë Luhanskun dhe Donetskun, dy provinca që tashmë pjesërisht mbahen nga separatistët e mbështetur nga Rusia, së bashku me qytetin port të Mariupolit në jug.

Pushtimi i rajonit do t’i mundësonte Rusisë të kontrollojë një korridor tokësor për në gadishullin e Krimesë, të cilin ajo e aneksoi në vitin 2014. Rusia lëshoi ultimatumin e saj të fundit për forcat e mbetura ukrainase në qytetin e Mariupolit që të dorëzojnë armët, duke thënë se atyre që do ta bëjnë këtë deri të martën pasdite do t’u “garantohet jeta”. Ukraina ka refuzuar kërkesat e mëparshme ruse për të dorëzuar Mariupolin.

Ndërsa vazhdon agresioni rus në Ukrainë, presidenti amerikan Joe Biden do të diskutojë nëpërmjet video lidhjes me aleatët të martën për atë që Shtëpia e Bardhë e quajti “mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën dhe përpjekjet për të mbajtur Rusinë përgjegjëse”./VOA