Zeka: Sjellja e Gashit është e nxitur nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli

Mbrëmë ka eskaluar debati mes Milaim Zekës dhe Tomë Gashit. Sharje, ofendime e kritika të shumta kanë hedhur palët në drejtim të njëri-tjetrit. Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës thotë se ndihet i rrezikuar nga kërcënimet e avokatit, teksa pohon se rastin e ka paraqitur edhe në Policinë e Kosovës, rreth një javë më parë, pasi telashet mes dyshes nuk janë rishtas.

Përplasje të ashpra po ndodhin mes Zekës e Gashit sa herë që po thirren nëpër emisione televizive, por ajo e një nate më parë u konsiderua nga komentuesit eskalim total.
E një ditë pas njërit prej debateve më të përfolura në Kosovë, Gazeta Express ka kontaktuar me ish-deputetin Milaim Zeka, për të kuptuar sesi erdhi deri te situata.

TZeka shprehet se është munduar ta ruajë etikën, por sipas tij deklaratat e avokatit Gashi ishin shumë skandaloze.
“Sinqerisht, unë mbrëmë pas momentit kur ai e ka lëshu studion, jam mundu me ruajt etikën për hir të emisionit që ka qenë i drejtpërdrejtë, por ajo çka unë dëgjova paraprakisht ishte diçka shumë skandaloze. Ai kish qenë duke më fyer mua, duke thënë që unë e rrehi, qysh e kanë rreh në studio… Është mjerim edhe i organeve të drejtësisë në Kosovë që nuk reagojnë”, tha Zeka, të mërkurën, për Gazetën Express.

Ashtu sikurse edhe mbrëmë, Zeka e ka quajtur Gashin avokat të Millosheviqit.
“Nuk ka në botë avokat i kategorisë së Tomë Gashit që mundet me mbajtë licencën e avokatit në bazë të sjelljeve të tij… i cili ka qenë gjykatës i Millosheviqit deri në vitin 1993”, pohon Zeka.
I pyetur nëse ndihet i rrezikuar dhe nëse rastin do ta raportojë edhe në Policinë e Kosovës, Zeka tha se Gashi ka dhjetëra denoncime e kallëzime penale në Policinë e Kosovës dhe një denoncim ndaj tij e ka bërë edhe vetë ai.
“Tomë Gashi në Policinë e Kosovës ka me dhjetëra denoncime e kallëzime penale ndaj tij, duke filluar nga gruaja e tij që e ka denoncuar disa herë për dhu*në fizike. Unë e kam raportu në polici, se jam në Suedi, e kam hap rastin ndaj Tomës para një jave… Më kanë intervistuar Kr*imet e Rënda, normal që po ndihem i rre*zikuar”, tha Zeka.

Sipas Zekës, sjellja e Gashit është e nxitur nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.
“Jam i bindur, 99 për qind, që Toma është i nxitur direkt nga Kadri Veseli, përderisa ky njeri po thirret në emrin e Kadri Veselit dhe ai nuk po reagon”, përfundoi Zeka.