Zejdi: Zaev e largoi nga tavolina Kryeministrin shqiptar, koalicioni ASH-AAA në rrugë të mbarë drejt marrëveshjes me LSDM-në

LSDM pohon se tashmë i ka numrat për formim të shumicës parlamentare. I pyetur se a është ose jo koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa pjesë e kësaj shumice, sekretari gjeneral i Alternativës dhe deputeti i sapo zgjedhur, Skender Rexhepi Zejdi, i tha TV21 se bisedimet zyrtare për pjesëmarrje ose jo në qeveri ende nuk kanë filluar dhe se pritet që të nisin javën e ardhshme.

“Gjithsesi parimi i parë i koalicionit tonë ishte të presim realizimin e premtimit apo thënë ndryshe mashtrimit parazgjedhor të BDI-së lidhur me kryeministrin shqiptar. Por, pas deklaratës së kryetarit të LSDM-së, me ç’rast ai këtë temë e largoi nga tavolina e bisedimeve, ne konsiderojmë që BDI-ja përfundimisht e ka humbur legjitimitetin e bisedimeve për qeveri. Kështu që, pas dhënies së mandatit nga Presidenti i shtetit për kryetarin e LSDM-së, koalicioni ASH-AAA edhe zyrtarisht do të zhvilloj bisedime për qeverisje dhe duke pasur parasysh gatishmërinë e mandatarit në përmbushjen e platformës programore edhe të koalicionit tonë, konsiderojmë që jemi në rrugë të mbarë drejt marrëveshjes” tha Rexhepi për TV21.