Zejdi e quan “matrapaz” drejtorin e Hekurudhave! Azizi paralajmëron padi penale për shpifje

Largimin e punëtorëve nga Hekurudhat e Maqedonisë – Transport që ishin punësuar në kohën kur ka udhëhequr Altrenativa, mbrëmë e komentoi edhe sekretari gjeneral i kësaj partie Skender Rexhepi-Zejdi.

Ai akuzoi drejtorin e tanishëm Adnan Azizin i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Besa, duke thënë se punëtorët që kanë qenë me kontratë në vepër i ka larguar në kohë pandemie kur më së shumti kanë nevojë.
“Të jesh drejtor i Hekurudhave, qofsh edhe hoxhë, je më tepër matrapaz por nuk je hoxhë, të luash me fatin e njerëzve që t’i largosh ato në të njëjtin institucion që askush nuk e ka bërë më herët, kjo dëshmon se ti edhe hoxhallëku nuk keni asgjë të përbashkët, keni me matrapazllëkun keni me lojën dhe nderin e njerëzve” u shpreh Rexhepi

Nga kabineti i drejtorit të Hekurudhave Adnan Azizi thonë se nuk e kuptojnë pse ka nevojë të dalë Zejd Rexhepi të merret me HRMV – Transport kur e kishin Drejtor Gjeneral Orhan Murtezanin. Sipas tyre ai krijoi një borxh prej 232 milionë denarë.

Ndërsa thonë se po analizojnë padi penale për shpifje ndaj Skender Rexhepit.
“E kuptojmë nervozizmin e humbjes së rrugës në oborrin e vet të Skender Rexhepit dhe partisë së tij, por mashtrimi që mundohet t’i bëjë ai opinionit publik me seriozitet do e analizojmë edhe mundësinë për padi penale për shpifje dhe deklarime të pavërteta nga ana e personit në fjalë”, thotë Azizi.

32 punëtorët para disa javëve protestuan duke kërkuar edhe takim me drejtorin ku kërkonin që mos të largoheshin nga puna.
Por drejtori u tha që të aplikojnë përsëri kur do të ketë konkurse dhe do të mund të shqyrtohen aplikimet.
Ndërsa gjatë ditëve të fundit Adnan Azizi ka postuar edhe disa fotografi ku tregon se ka punësuar disa punëtorë të ri.