Zbulohet urdhri i Vuçiçit për ushtrinë me rastin e vizitës në Kosovë


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka urdhëruar ushtrinë dhe më pas ka kërkuar nga policia dhe BIA që të ndalojnë çdo komunikim me policinë e Kosovës, KFOR-in dhe çdo përfaqësues shqiptar dhe ndërkombëtar që veprojnë në territorin e Kosovës me rastin e vizitës së tij.

Sipas agjencisë serbe të lajmeve, Tanjug, e cila i referohet burimeve të saja, shefi i shtetit serb do të marrë vendim sonte nëse do të vizitojë ose jo Kosovën gjatë fundjavës, transmeton lajmi.net.Sipas mediave serbe, bashkëpunëtorët e tij të afërt janë të ndarë në mendime rreth ardhjes ose jo në Kosovë.

Vizita e presidentit serb, e njoftuar se do të ndodhë të shtunën ose të dielën, është vënë në pikëpyetje pasi, sic raporton kjo media, Prishtina i ka ndaluar Vuçiçit ta vizitojë Gazivodën.

Ndryshe, sot zhvillohet raundi i ri i dialogut mes dy presidenteve, të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiç. Ndonëse nga media e afërt me presidentin serb, Vecernje Novosti u raportua mbrëmë se Vuçiç mund ta anulojë vizitën në Kosovë.

“Autoritetet në Prishtinë e kanë njoftuar Beogradin se presidentit të Serbisë do t’i ndalohet që ta vizitojë liqenin e Ujmanit (Gazivodës) pasi që paraqet provokim përtej të cilit Aleksandar Vuçiç nuk mund dhe nuk dëshiron që të kalojë. Presidenti serb është afër vendimit që ta anulojë vizitën në Kosovë dhe se ka urdhëruar ndërprerjen e çdo kontakti me Prishtinë, ndërsa për vazhdimin e bisedimeve të Brukselit, takimi që është planifikuar të mbahet të premten (nesër) me siguri se do të anulohet”, thekson gazeta serbe.