Zbulohet kërcënimi që ia kishte bërë gruas Pjetër Ndrecaj, para se ta vriste

Valbonë Marku Ndrecaj, 40 vjeçe, dhe e bija e saj 9 vjeçe, u vranë mbrëmë me breshëri plumbash nga ish-burri i saj, përkatësisht babai, Pjetër Nrecaj, në fshatin Brekoc të komunës së Gjakovës. Viktima dhe i dyshuari kishin muaj që ishin ndarë. Valbona qe disa kohë kishte qenë e kërcënuar nga ish-burri. Ajo pak para se të vritej kishte marrë një mesazh kërcënues nga ai, të cilin e kishte raportuar në polici. “Do të të gjej… do të ta bëj…”, kishte qenë mesazhi që Pjetri ia kishte dërguar Valbonës në telefon. Policia e ka hapur këtë rast si “kanosje”. Por pak orë më vonë në shtëpinë Marku u shënuan dy viktima nga Pjetër Nrecaj. Çifti kishin pasur 5 fëmijë, tre nga të cilët kanë jetuar me Valbonën, ndërsa dy të tjerë kanë jetuar me babanë, Pjetrin. Express ju sjell detaje nga ky rast.

Nënë e bijë mbrëmë u vranë në Brekoc të Gjakovës. Kryefamiljari Pjetër Nrecaj dyshohet se me kallashnikov, në korridorin e shtëpisë, ka vrarë gruan dhe vajzën e tyre për arsye ende të panjohura. E se diçka e tillë do të ndodhte, ishte e njoftuar edhe Policia e Kosovës, pasi që dorasi pak orë para se të kryente vrasjen e kishte kërcënuar viktimën përmes një mesazhi. Policia ishte e njoftuar për këto kërcënime, por nuk arriti që ta parandalojë këtë tragjedi.

Arsyeja që e shtyu Nrecajn ta kryejë vrasjen e dyfishtë nga ana e Prokurorisë po konsiderohet si “çrregullimi i marrëdhënieve bashkëshortore”.

Detaje për këtë rast të rëndë ka dhënë sot gjatë ditës për Gazetën Express, kryeprokurori i Gjakovës Ali Selimaj.

Ai ka shpjeguar se i dyshuari edhe më herët e kishte kërcënuar viktimën. Sipas tij, Pjetër Nrecaj kishte qëndruar rreth një muaj në paraburgim për veprën penale të “kanosjes” ndaj gruas.

“Viktima është ankuar në polici për kërcënimin, Policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit dhe ka tentuar ta kontaktojë por ka qenë e pamundur”, ka thënë Selimaj.
E 40-vjeçarja e cila mbrëmë u vra nga ish-burri, Valbona Marku Nrecaj, me origjinë nga rrethi i Tropojës së Shqipërisë, pak orë para se të vritej e kishte marrë një mesazh kërcënues nga Pjetër Nrecaj. Ai në atë mesazh e kishte paralajmëruar për vrasjen. E në gjithë këtë situatë, ajo është ndier e kërcënuar dhe rastin e ka raportuar në Polici. Këta të fundit kanë shkuar në vendin e ngjarjes, por nuk kanë mundur ta parandalojnë këtë rast. Të dyshuarin nuk e kanë gjetur në shtëpi.

“Viktima pak orë para se të ndodhte rasti, ka shkuar në polici dhe ka raportuar për një kanosje”, ka shpjeguar tutje prokurori Selimaj.

Ai ka shtuar se dorasi është person i njohur për Prokurorinë, pasi ndaj tij ka një procedurë penale. Ai sqaroi se i dyshuari ishte në paraburgim nga data 13 maj deri në 15 qershor të këtij viti dhe ndaj tij ka një aktakuzë për dhunë në familje, e cila është dorëzuar në gjykatë.

I dyshuari për vrasjen pritet të intervistohet sot. Prokuroria do të kërkojë një muaj paraburgim për të