Zbulohen pjesë nëntokësore të Aja Sofia – aty ku ‘tunelet hedhin dritë mbi historinë e xhamisë së Stambollit’

Xhamia e Madhe “Aja Sofia” ka tërhequr mijëra vizitorë që kur u rihap si një vend kulti pasi u rikthye nga një muze në vitin 2020.

Por pak njerëz janë të vetëdijshëm se nën mrekullinë arkitekturore në zemër të Stambollit shtrihet një rrjet tunelesh, bodrumesh dhe varresh, shkruan Daily Sabah.

Kështu, siç shkruan mediumi në fjalë, profesor Hasan Fırat Diker dhe ekipi i tij, ndërkohë, vazhdojnë të eksplorojnë “pjesën nëntokësore të Aja Sofia”.

Ata janë duke ekzaminuar strukturat e ndërlikuara poshtë ndërtesës që u rindërtua tri herë në historinë e saj që daton nga koha bizantine, përcjell Telegrafi.

Diker është një akademik nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Dizajnit në Universitetin Fatih Sultan Mehmet Vakıf (FSMVÜ), i cili u themelua nga një fondacion i themeluar fillimisht nga Mehmeti II, sulltani osman që pushtoi Stambollin dhe shndërroi Aja Sofia nga një katedrale në një xhami.