Zbulohen dy shqiptarët që nuk kanë frikë nga koronavirusi. Ata janë Edi Rama dhe Ylli Ndroqi (arsyet përse)

Në kohën që bota po dridhet nga virusi vrastar, në Shqipëri janë identifikuar dy shqiptarët, që jo vetëm nuk kanë frikë nga koronavirusi.
Ata janë; Lideri botnor, drejtori i OSBE-së, kryeministri ynë Edi Rama dhe pronari i “Ylldon Media Group”, zotni Ylli Ndroqi.

Pas një vëzhgimi të hollësishëm, korespondenti i rubrikës tonë, Tej e Këtej, për punë të shëndetit, infeksioneve dhe viruseve, emrin e të cilit si fillim po e mbajmë sekret, njofton se arsyeja përse zotërinjtë Edi Rama dhe Ylli Ndroqi, nuk kanë frikë nga koronavirusi, është edhe e ndryshme edhe e njëjtë.
Kjo arsye e përzierë, është mungesa totale e frikës tek Ylli Ndroqi dhe frika e çrregulluar, ose e ko-varësuar, siç quhet në gjuhën shkencore, e Edi Ramës.

Në mënyrë që lexonjësi ynë të jetë sa më i qartë, le ta shpjegojmë këtë çështje, sa më thjesht që është e mundur.
Frika, është një nga 28 emocionet më të rëndësishme të njeriut. Edhe tek kafshët, si instinkt edhe tek ne njerëzit, si emocion, frika shërben për të ruajtur jetën tonë.
Mirëpo, që në kohët e lashta dhe deri më sot, ka njerëz që nuk e kanë këtë emocion, ose e kanë të çrregulluar.

Zotni Ylli Ndroqi përshembull, ka lindur pa emocionin e frikës. Ai e ka si të themi, të trashëguar këtë mungesë, siç na ndodh përshembull me sëmundjet.
Krejt ndryshe ka ndodhur dhe ndodh me liderin tonë Edi Rama. Në ndryshim nga Ylli Ndroqi, Edi Rama ka lindur si një nga qeniet më të frikësuara të botës ku jetojmë. Po atëherë, si ka mundësi, që ai nuk ka frikë nga sëmundjet dhe posaçërisht nga koronavirusi?! Ç’është ky paradoks kaq i çuditshëm?!

Çdo gjë në këtë botë e ka një shpjegim. Edhe ky paradoks, ka shpjegimin e vet. Është pikërisht frika e ç’regulluar, ose frika patologjike, që ja ka hequr liderit tonë frikërat normale.
Në jetën e vet politike, lideri ynë ka qenë i mbushur deri në fyt me frikërat nga Fatos Nano, Ilir Meta, nga Sali Berisha para shumë vjetësh, frikë nga kriminelët dhe të fortët (ndaj i do dhe punon me ta), frikë nga uji dhe sapuni, frika se mos njerëzit mendojnë se lideri ynë është hajdut… Të gjitha këto frikëra të çrregulluara të liderit tonë, ja kanë vrarë atij frikërat normale, frikërat që ka dhe ndjen e gjithë bota.

Ky është pak a shumë edhe sqarimi ynë, përse zotërinjtë Ylli Ndroqi dhe Edi Rama, janë sot të vetmit shqiptarë, që nuk kanë asnjë frikë nga koronavirusi.
PS. Fotografia dhe konstatimi ne formë këshille për koronavirusin, që ne po publikojmë më poshtë, është postuar nga vetë zotni Ylli Ndroqi në rrjetet sociale, nga bordi i një avioni British Airways, ku ai po udhëton me bashkëshorten e tij.