Zbulimi i rrallë në Egjipt – Gjendet qyteti “i humbur i artë” i Luksorit

Arkeologët po festojnë zbulimin e qytetit të lashtë më të madh që ka dalë ndonjëherë në dritë atje.
I va*rrosur poshtë rërës për mijëvjeçarë të tërë, ekspertët thonë se ky është një prej zbulimeve më të rëndësishme që prej gjetjes së varrit të Tutankamonit. Egjiptologu Zahi Hawass ishte ai që njoftoi zbulimin e “qytetit të artë të humbur”, në një zonë pranë Luksorit, shtëpi e Luginës legjendare të mbretërve.

“Ky qytet është 3 mijë vjeçar, daton nga koha e Amenhotep III, dhe ka vazhduar të përdoret nga Tutankamonit dhe Ay”, thuhet në deklarate. Sende të ndryshme me vlerë si unaza e gjerdanë janë gjetur aty së bashku me enë të ngjyrosura apo tulla balte që mbanin vulën e faraonit.

“Shumë misione të huaja e kanë kërkuar më parë këtë qytet dhe nuk e kishin gjetur kurrë”, thotë Hawass, ish ministër i antikuarëve. Gërmimet në zonën mes tempujve të Ramsesit të Tretë dhe Amenhotepit të dytë, rreth 500 km në jug të Kajros, kishin nisur shtatorin e vitit 2020. Për habinë e ekipit të arkeologëve, brenda disa javësh formacionet e tullave të baltës nisën të shfaqen nga të gjitha drejtimet.

Ai që nxorëm nga toka ishte një qytet i tërë, i ruajtur në gjendje mjaft të mirë , me mure thuajse të plota e dhoma të mbushura me mjete të jetës së përditshme, vazhdon deklarata. E nuk mbaron këtu, pasi misioni pret të gjejë edhe varre të paprekura, të mbushura me thesare.