Zbrazën llogaritë e 5 mijë shtetasve grekë, zbardhet skema e mashtrimit që përdornin dy të rinjtë shqiptarë

Detaje të reja janë mësuar rreth operacionit “Kriptonite”, gjatë të cilit ranë në pranga dy të rinjtë korçarë, Kanan Hani dhe Kristjan Feçanji.

Burime nga grupi hetimor, konfirmojnë se numri i shtetasve grekë që kanë rënë pre e kësaj skeme mashtrimi shkon në 5 mijë.

Shumat e vjedhura nga llogaritë e tyre variojnë nga tre mijë deri pesë mijë euro. Grupi mashtronte shtetasit grekë, duke i ftuar të investonin në kriptomonedha.

Atyre që binin dakord të bëheshin pjesë e skemës fiktive të investimit, grupi i kërkonte të shkarkonin në kompjuterin e tyre një program, përmes të cilit hakoheshin të dhënat dhe zbrazeshin llogaritë bankare.

Ndërkohë, në ambientin ku kryhej mashtrimi, ishin të punësuar 7 shtetas nga Fieri, të cilët nuk ishin të deklaruar në organet tatimore.

Gjatë këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 njësi kompjuterike, 1 laptop, 2 celularë dhe pajisje të tjera elektronike, që përdoreshin në këtë veprimtari të paligjshme.