Zbardhet “testamenti” i Nexhmijes: Gruaja e Enverit mohon të birin dhe shan nusen, Sokoli nuk i shkon në varrim

Në letrën e testamentit të Nexhmije Hoxhës vihet re fakti që në asnjë moment, Nexhmija nuk përmend djalin e saj Sokolin dhe nusen e tij Liljanën.
Nexhmija quan si të vetët vetëm Ilirin e Pranverën pra djalin dhe vajzën, bashkë me pasardhësit e tyre duke mohuar kështu djalin Sokolin bashkë me fëmijët e tij. Teksa nusen e Ilirit, Teutën e ngre në qiell, Liljanën, nusen e Sokolit, Nexhmija nuk e përmend fare.

“Ishit veçanërisht ju, ti Ilir me Teutën e fëmijët tuaj, edhe Pranvera me të sajët, që ma bëtë jetën të jetueshme, me përkujdesjet e veçanta dhe dashurinë e ngrohtë që më rrethuat në vetminë e madhe që më la Enveri. Prandaj e meritoni “bekimin e nënës”, shkruan Nexhmija.

“Koha tregoi se ti, Ilir, kishe bërë një zgjedhje të mirë për shoqen e jetës. Se gruaja mund të bëjë të lumtur, ajo mund edhe të ta nxijë jetën. Një shembëlltyrë e tillë i ndodhi djalit tjetër tim, Sokolit, për fatkeqësinë e tij e të familjes sonë, u lidh me një grua jo vetëm të sëmurë nga nervat, por të sëmurë nga koka e të ligë nga shpirti. Siç tregoi koha, ajo kish qenë mish i huaj që kur hyri në shtëpinë tonë, po që me ndryshimin e klimës politike në vend erdhi në dekompozim e degradimin e fundit politiko-moral.”, shkruan më tej Nexhmija në letër.
Ndërkaq, mësohet se Sokoli nuk i ka shkuar në varrim të ëmës, Nexhmijes që vdiq dje në moshën 99-vjeçare.