Zake Prelvukaj solli “New rules” në Shkup, monolog pandemik brenda një pike të kuqe

Artistja Zake Prelvukaj ka hapur ekspozitën e saj në Shkup, në Çifte Hamam në Çarshi të Vjetër.
Ekspozita e cila titullohet “New rules”, synon të sjellë nëpërmjet pikturave rregullat e reja të cilat janë imponuar që nga viti 2000, me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë.

“Nga viti 2000 e këndej ne kemi filluar të jetojmë me rregulla të reja. Por, unë më herët i kam quajtur rregulla të çrregullta, të cilat na kanë bërë t’i pranojmë deshëm apo nuk deshëm ne. Kështu, teknologjia dhe përparimi i teknologjisë në mënyrë marramendëse, na ka bërë edhe ne të tjetërsohemi dhe ta ndryshojmë edhe mënyrën e të menduarit”, tha artistja Zake Prelvukaj.
Ekspozita nuk përfshinë vetëm piktura, por edhe instalacione. Risia është se në kuadër të saj, autorja kryen edhe një monolog, heshturazi, brenda një rrethi të krijuar nga zalli i kuq.

E kjo hapësirë dhe gjithçka çfarë bën artistja brenda saj, ndërlidhet me periudhën e pandemisë së Covid-19.
“Pika e kuqe, apo zalli i kuq është ajo në të cilën ne kemi jetuar për një vit e gjysmë dhe vazhdojmë të jetojmë, pasi ende nuk ka përfunduar pandemia. Nuk kisha kah të shkoj, përveç kësaj pikës së kuqe. Pastaj kisha monolog me veten para pasqyrës. Herë hidhërohesha me veten, herë pajtohesha, por sërish më duhej të ulesha në këtë karrige, sepse nuk kisha kah të shkoj”, tha Prelvukaj.