Zaharova: Akuzat për ndërhyrje ruse në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut janë absurde

Akuzat se Rusia ndërhyri në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë absurde deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse Marija Zaharova.

“Ishte e vështirë të mos vërehej në mesazhet me video të përhapura të politikanëve perëndimorë, përfshirë krerët e qeverive dhe ministrat gjatë fushatës parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Ata haptas dhe me këmbëngulje u bënë thirrje votuesve në Maqedoninë e Veriut që të votojnë një parti ose një tjetër. Në sfondin e kësaj ndërhyrje të huaj në punët e një shteti sovran spekulimet për praninë e një ndikimi të caktuar rus janë absolutisht të pabaza dhe duken plotësisht absurde” tha Zaharova.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse i ka akuzuar vendet perëndimore për standarde të dyfishta pasi pretendojnë se Rusia po ndërhyn ndërsa liderët e tyre janë përpjekur hapur të ndikojnë në zgjedhjet e vendit. Sipas saj janë shprehur dyshime dhe akuza të paqarta kundër Rusisë ndërsa në të njëjtën kohë “presioni i drejtpërdrejtë perëndimor mbi qytetarët e Maqedonisë sw Veriut paraqitet si diçka legjitime”.