Maqedonia e Veriut po politizon punën e komisionit të përbashkët për histori, po bllokon zhvillimin e Korridorit 8 dhe investimet bullgare në vend, gënjen se Bullgaria mohon identitetin dhe gjuhën maqedonase dhe kremton diktatorin “e errët” Tito, akuzon ministrja e jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva në intervistë për gazetën gjermane “Welt”, raporton “Deutsche Welle”.
Në intervistë, ajo krahason Josip Broz Titon me Adolf Hitlerin. Duke treguar se midis 1 shtatorit dhe 20 nëntorit janë bërë 13.699 postime negative në lidhje me Bullgarinë, Zaharieva thotë se kremtimi që Petre Shilegov bën për Titon, është njëjtë si kryetari i Berlinit të kremtonte Hitlerin.
“Kjo tregon një mungesë të pluralizmit. Ata ishin kryesisht brutalë ndaj meje kur shprehja keqkuptimin tim sepse ata shënonin dyzet vjetorin e vdekjes së një prej diktatorëve më të errët – Titos. Për më pak se dhjetë vjet, ai vrau gati 1.7 milion njerëz në ish-Jugosllavi. Ndërsa ata e shënojnë këtë ditë. Kryetari i Shkupit është shok partie i Zaevit. Pastaj më nuk isha aq e popullarizuar. Por kjo është njëjt si kryetari i Berlinit të vjen me idenë për të shënuar ditën e vdekjes së Hitlerit” tha Zaharieva.
Ajo mohon që Bullgaria nuk e njeh gjuhën maqedonase dhe akuzat e tilla i interpreton si një përpjekje “për të portretizuar Bullgarinë si një vend që ka mbetur në kush e di në cilin shekull”. “Tema më e vështirë është akuza e pavërteta që janë dëgjuar për një kohë të gjatë, se gjoja ne ua mohojmë maqedonasve të drejtën për vetëvendosje. Ose të drejtën për ta thirrur gjuhën e tyre ashtu siç ata duan. Por vendet nuk njohin gjuhët ose kombet, por vetëm vendet e tjera”, tha Zaharieva.
E pyetur nëse ka shpresë për të gjetur kompromis deri në fund të vitit, dhe negociatat të nisin nën presidencën e Gjermanisë me BE-në, Zaharieva citoi presidentin francez, i cili thoshte: “Cilësia është më e rëndësishme sesa shpejtësia e procesit.” Në intervistën për “Welt”, Zaharieva gjithashtu hap temën e qytetarëve maqedonas me pasaportë bullgare, duke thënë se për 10 vjet, 88,450 qytetarë kanë marrë shtetësi bullgare bazuar në deklaratat e tyre mbi origjinën.