Zaevi uroi Janevin pasi u zgjedh kryeministër i Bullgarisë, folën për kontestin

Liderët politik të dy vendeve kanë përgjegjësinë të krijojnë kushte për dialog dhe bisedime konstruktive, konkluduan sot në një bisedë telefonike kryeministrat e Maqedonisë të Veriut dhe të Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Stefan Janev.

Zaevi e përgëzoi Janevin për zgjedhjen e tij si kryeministër i Republikës së Bullgarisë dhe i uroi punë të frytshme dhe të suksesshme.

Siç kumtoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, të dy kryeministrat diskutuan marrëdhëniet e përgjithshme në mes dy vendeve, me theks të veçantë në nevojën për të bërë çdo përpjekje për bisedime dhe zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët.