Zaev: Zgjedhjet duhet të jenë më 21 qershor

Nuk është arrit marrëveshje në momentin e parë të duhur që të dilet në zgjedhje, ka deklaruar lideri socialdemokrat, Zoran Zaev pas përfundimit të takimit të liderëve pasditen e sotme. Sipas tij, këtë e konfirmon Komisioni për sëmundje ngjitëse, dispozitat kushtetuese bile edhe OSBE/ODIHR. Afati i parë për zgjedhje, pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe në bazë të Dekretit me fuqi ligji, sipas tij është 21 qershori.

LSDM ka shtuar Zaev, fillimisht do ta mendojë nëse pa opozitën do të shkohet në zgjedhje.
“Papërgjegjësi, papjekuri dhe të menduarit vetëm për kolltukun partiak na ka sjell deri te ajo të mos kemi konsensus”, ka thënë Zaev.

Sipas tij, sjellja e liderit të opozitës, Hristijan Mickoski është në dëm të shtetit, duke e akuzuar se ai frikësohet nga qytetarët dhe votimi.

“Duan ta zgjatin krizën shëndetësore dhe ekonomike që të krijojnë krizë të re politike. Ne atë nuk do ta lejojmë”, tha Zaev.

Zgjedhjet janë përcaktuar, ka thënë ai, pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme vazhdojnë aktivitetet zgjedhore.

“Konsiderojmë se mund të organizojmë zgjedhje. Qeveria teknike, roli i së cilës është të organizojë zgjedhje paralelisht me masat për mbrojtje të qytetarëve duhet të rifillojë edhe proceset parazgjedhore për organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe të lira e demokratike, me mbrojtje të plotë të shëndetit të qytetarëve. Pres të përgatiten edhe gjitha institucionet e angazhuara për zgjedhjet, para së gjithash KSHZ”, tha Zaev.

Ai ka thënë se nevojitet transformim i ekonomisë së vendit dhe mbrojtje e shëndetit në mënyrë adekuate.

“Koronavirusi është përditshmëri e jonë derisa nuk shpiket vaksina”, ka thënë Zaev.

Sipas tij, përgjegjësi e partive politike është të bëjnë gjithçka që t’u sigurojnë qytetarëve atë normalitet të ri.

“Ikje nga zgjedhjet nuk ka. Prej këtu presim të përgatiten gjitha institucionet që janë angazhuar t’i përfundojnë punët e tyre”, shtoi ai.

OSBE/ODIHR, siç tha, është e gatshme përsëri të përqendrohet me aktivitetet në zgjedhje, pasi të konfirmohet data e zgjedhjeve si dhe duke mbajtur llogari për kufizimet rrugore dhe protokollet lidhur me shëndetin.